Nga R.T. Watson
Tre vjet më parë, YouTuber-ët e njohur tashmë Vlad, Niki, Diana dhe Nastya ishin miq që lundronin nëpër Miami me një jaht 30 metrash për të festuar një ditëlindje. Sot, ata janë të ‘kapur’ në një rivalitet të ashpër mbi supremacinë në YouTube.
Ndërkohë ata nuk janë as 10 vjeç.
Fëmijët janë yje të tre kanaleve në YouTube: ‘Vlad dhe Niki’, ‘Like Nastya’ dhe ‘Kids Diana Show’. Këto janë tre kanalet më të njohura të YouTube për fëmijë me veprim të drejtpërdrejtë në botë, me afro 300 milionë abonentë në YouTube mes tyre. Tani ata po zgjerohen në gjithçka, nga transmetimi i shfaqjeve e te lodrat e markave të njohura, deri te marrëveshjet e licencimit, të gjitha me vlerë dhjetëra miliona dollarë.
“Këta fëmijë që dolën nga askund kanë më shumë ndikim se Mickey Mouse.” – thotë Eyal Baumel, një strateg i vjetër i personaliteteve të YouTube, duke përfshirë ‘Like Nastya’.
Në të tre kanalet, videot luhen njësoj si filma vizatimorë me aksion të drejtpërdrejtë në një terren fantazie në periferi. Fëmijët vishen si superheronj, zvarriten e ecin mbi perime gjigante dhe qarkullojnë me makina lodër. Prindërite e tyre, në ndonjë rast vetëm mami ose babi janë ndihmës.
Sa më shumë sukses të kenë arritur fëmijët, aq më të bukura janë bërë lodrat dhe shfaqjet. Në një video, Vlad dhe Niki përbuzin nënën e tyre dhe makinën ‘Range Rover’ që ajo e mbuloi me një veshje ngjyrë rozë për të bërë një xhiro me Ferrarin e kuq të babait. Në një video tjetër të këtij viti, ‘Kids Diana Show’ del në rrugë, duke qëndruar në një resort në Maldive, ku fëmijët dhe prindërit hipin në një nëndetëse të verdhë.
Videot paraqesin shumë pasthirrma ‘oh’ e ‘ah’, duartrokitje dhe dialog minimal – gjë që e bën të lehtë reduktimin e postimeve në YouTube, të cilat janë kryesisht në anglisht, në gjuhë të tjera, duke përfshirë arabisht, spanjisht ose indonezisht.
“Fëmijët mendojnë se Vlad dhe Niki janë miqtë e tyre.” – thotë nëna e tyre, Victoria Vashketov, për fëmijët e saj, të cilët janë përkatësisht 9 dhe 7 vjeç.
Prodhuesit e lodrave paguajnë të rinjtë e famshëm për të luajtur me produktet e tyre. Çmimet mund të shkojnë diku nga 75,000 dollarë në më shumë se 300,000 dollarë, sipas një personi të njohur me marrëveshje të tilla.
YouTubers-at kanë gjithashtu linja ekskluzive lojërash të markuara me emrat dhe simbolet e tyre. Ka një figurë aksioni të Vladit me pelerinë dhe figurina në madhësinë e pëllëmbës së të gjithë familjes së Dianës, të cilat mund të blihen në rrjetet e mëdha të dyqaneve amerikane si Walmart e Target, si dhe në vende duke përfshirë Suedinë dhe Mongolinë, sipas përfaqësuesve të kanaleve.
‘Zuru Toys’ me bazë në Shenzhen, Kinë, prodhoi një linjë speciale të lodrave ‘Vlad and Niki’ pasi hyri në një partneritet me familjen në vitin 2020. Bashkëthemeluesi i kompanisë, Nick Mowbray, thotë se ai hyri në biznes me djemtë sepse ata kanë tërheqës globalisht.
Shërbimet kryesore të transmetimit po i vendosin videot në platforma duke përfshirë HBO Max dhe Amazon gjithashtu.
“Ju mund të krijoni një ekskluzivitet global pa një studio të madhe.” – thotë Dan Weinstein, i cili përfaqëson ‘Vlad dhe Niki’ nën flamurin e kompanisë së tij ‘Underscore Talent’ dhe ka ndihmuar sensacionet e tjera të internetit të kalojnë në kanalet tradicionale të medias.
“Mendoj se është marramendëse thjesht ta mendosh.”
Koha është gjithçka
Rreth kohës kur Vlad, Niki, Diana dhe Nastya ishin të vegjël, iPad-ët po bëheshin kujdestaret e reja të fëmijëve dhe videot që shfaqnin të vegjël që që shpaketonin lodrat e reja teksa filmoheshin po pushtonin përmbajtjen e fëmijëve në YouTube.
Ndër personalitetet e reja që filluan të ndikojnë në sjelljen e konsumatorit ishte Evan nga EvanTubeHD, një YouTuber lodrash dhe lojërash, i cili filloi të postonte video me lodra Angry Bird kur ishte 5 vjeç dhe u bë një nga YouTubers-et e parë që u kthye në një yll në platformë.
Ryan Kaji – shpesh i njhur si mbreti në fuqi fëmijë i YouTube – po shluante me lodrat e njohura si Thomas the Tank Engine dhe po grumbullonte miliona ndjekës e dollarë. Ata krijuan një formulë për llojet e videove që mund të mblidhnin miliona shikime: Jepini një fëmije të lezetshëm një lodër të një marke të lakmuar, filmojeni duke luajtur me të dhe më pas postojeni.
Të tre familjet u mbështetën në këtë formulë.
Prindërit e Vlad dhe Nikit filluan të bënin video nga shtëpia e tyre në Moskë. Sergej Vashketov ishte një ekzekutiv i nivelit të mesëm në një kompani për prodhimin e ushqimeve; Victoria, një ish-gjimnaste. Videot e hershme, të cilat janë në rusisht, tregojnë Vladin dhe Nikin duke pirë Coca-Cola dhe duke u gëzuar me çanta të mëdha të mbushura me market e njohura të karameleve M&Ms e Skittles.
Nastya, emri i plotë i së cilës është Anastasia Radzinskaya, është nga Krasnodari, Rusi. Prindërit e saj thonë se filluan të postojnë video të vajzës së tyre në YouTube për të treguar aftësitë e saj në të folur pasi një mjek e diagnostikoi gabimisht me paralizë cerebrale dhe tha se ajo mund të mos fliste kurrë. Disa nga videot e para të Nastya-s e tregojnë atë duke luajtur me Lego dhe duke hapur një lojë me temë Disney.
Prindërit e Dianës, Olena e Volodymyr Kidisyuk, filluan të bënin video nga shtëpia e tyre në Kiev, Ukrainë, me vajzën dhe vëllain e saj më të madh Roma, të cilët luanin me lodra të njohura në video si Peppa Pig, Hot Wheels dhe Play-Doh.
Secili prej tre kanaleve filloi dalëngadalë, duke i inskenuar videot në vende si në tavolinën e kuzhinës ose në një park lokal, duke xhiruar me telefona inteligjentë dhe duke përdorur shumë pak, ose aspak montim.
Pasi videot filluan të grumbullonin miliona shikime në YouTube, prindërit panë një mundësi për të krijuar një biznes rreth tyre dhe filluan të investojnë në krijimin e videove më të përpunuara që përfshinin vendndodhje dhe lodra më ekstravagante. Sa më të njohura të jenë videot, aq më shpesh algoritmi i YouTube u rekomandon fëmijëve postimet e tyre.
Përfundimisht, familjet u shpërngulën nga Ukraina dhe Rusia në vende më me diell si Dubai dhe Tajlandë, që lejuan xhirimet në natyrë gjatë gjithë vitit. Rreth katër vjet më parë, të tre familjet u takuan në Miami dhe filluan një miqësi, sipas zonjës Vashketov.
Nastya, e cila po bënte një festë ditëlindjeje, ftoi Vladin, Nikin dhe Dianën. Përgjatë viteve, familjet kanë organizuar disa festa të tjera ditëlindjesh së bashku, duke filmuar fëmijët e tyre duke luajtur së bashku, ndërsa djali ose vajza që kishte ditëlindjen shfaqen duke hapur male me lodra të reja që bien në sy. Videot e ditëlindjes kanë shikueshmëri të madhe në YouTube, thotë zonja Vashketov.
Udhëtimet në parqe argëtuese dhe shkuarja me pushime gjithashtu shfaqen shpesh në video. Mes tyre, të tre familjet kanë filmuar dhe postuar video nga vende si Tajlanda, Italia, Hauai dhe Alpet Franceze. Ata gjithashtu kanë kaluar kohë së bashku në Dubai, ku dy nga familjet jetonin me kohë të plotë.
Fati dhe koha ishin të rëndësishme. Kështu ishin edhe analizat e tregut, tha zoti Weinstein, i cili ka këshilluar krijuesit dixhitalë si Vashketovët për më shumë se një dekadë.
YouTube i ndihmon krijuesit të krijojnë audiencën e tyre duke ofruar mjete të bazuara në të dhëna që mund të analizojnë se si paraqiten videot e tyre dhe ndihmojnë në planifikimin e përmbajtjes së tyre. Kjo përfshin të dish se çfarë po kërkojnë audienca në YouTube, çfarë po kërkojnë shikuesit e krijuesit, kur janë në YouTube, kanale të tjera që shikon audienca dhe të dhëna të tjera.
“Sergey dhe Victoria janë të apasionuar me YouTube dhe krijimin e përmbajtjes aty.” – tha zoti Weinstein.
Sot, familjet kanë ekipe njerëzish që punojnë në prapaskenë.
‘Vlad and Niki’ ka një ekip xhirimi deri në pesë persona në të njëjtën kohë, duke përfshirë një person që zbulon vende interesante, operatorë kamerash dhe njerëz që ndihmojnë në sigurimin e rekuizitave.
Ata gjithashtu punojnë me njerëz për të ndihmuar në përkthimin e videove për kanalet e tyre në gjuhë të huaj, një ekip të projektimit të aplikacioneve për lojëra celulare dhe një asistent që ndihmon në menaxhimin e mediave sociale.
Kidisyuks nënshkruan me pocket.ëatch, një kompani që ndihmon fëmijët e YouTube dhe krijuesit familjarë të krijojnë ekskluzivitete rreth kanaleve të tyre, duke përfshirë mundësi shtesë për markën dhe tregtimin, produktet e konsumit, lojërat celulare dhe zhvillimin dhe licencimin e përmbajtjeve shtesë. Pocket.ëatch përfaqëson më shumë se 30 fëmijë dhe krijues familjarë, duke përfshirë Ryan Kaji.
Edhe studiot e Hollivudit kanë shfaqur interes.
Ekipi i Nastya po zhvillon një seri të animuar me kompaninë e prodhimit të Will Smith, Westbrook. Netflix ka treguar interes për serialin dhe bisedimet janë në vazhdim, sipas një personi të njohur me këtë çështje.
HBO Max shpenzoi miliona dollarë për licencimin e përmbajtjes ‘Vlad e Niki’ për shërbimin e saj, sipas një personi të njohur me çështjen, i cili shtoi se transmetuesi po konsideron prodhimin e dy shfaqjeve me skenar, duke përfshirë një serial të animuar bazuar në dy djemtë.
Netflix dhe HBO Max nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Diana e Roma luajtën në një video promovuese për filmin e fundit të Paramount ‘Paw Patrol’ dhe më herët kanë pasur përmbajtje të disponueshme si në Amazon Prime ashtu edhe në Roku. Dyshja motër dhe vëlla kanë gjithashtu një seri të animuar në YouTube që shfaq ‘alter egon’ e Dianës, Princesha e Play, duke u bashkuar me armikun e saj Boris, Baronin e Mërzisë.
Konkurrenca
Me marrëveshje të tilla fitimprurëse, konkurrenca mes kanaleve është shtuar jashtëzakonisht shumë me kalimin e viteve, duke bërë që familjet të ndahen, sipas njerëzve të afërt me familjet.
Konkurrenca është veçanërisht e ashpër mes Dianës dhe Nastya-s, të cilat të dyja tërheqin vajzat. Të dy janë kokë më kokë në YouTube. Nastya aktualisht ka 102 milionë abonentë ndërsa Diana ka 104 milionë.
Ndonjëherë betejat shpërthejnë midis bashkëpunëtorëve që merren me tregtimin e produkteve, të cilët luftojnë për gjëra të tilla si hapësira kryesore në raftet e dyqaneve të mëdha e të rëndësishme, tha një person.
Nëna e Vlad dhe Nikit thotë se ajo ndonjëherë kontrollon për të parë se sa mirë kanë ecur videot e Nastya-s ose Diana-s. Por Victoria Vashketov minimizon konkurrencën: “Si prindër, të gjithë shkojmë mirë me njëri-tjetrin dhe të gjithë fëmijët kënaqen duke luajtur së bashku.”
Familjet ndajnë gjithashtu një dilemë të madhe. Së shpejti, yjet e tyre të vegjël do rriten e do bëhen doleshentë, ndoshta shumë të mëdhenj për të bërë video për parashkollorët.
Vlad tashmë ka hedhur sytë nga e ardhmja, duke thënë se ai ëndërron të ndjekë hapat e krijuesit kryesor të YouTube, MrBeast, i cili rregullisht prodhon konkurse të hollësishme ose sfida që ai poston në kanalin e tij.
Veç kësaj, z. Weinstein po krijon mundësi që Vlad dhe vëllai i tij të futen në biznesin e muzikës, duke punësuar producentë dhe kompozitorë që kanë punuar me Justin Bieber dhe Selena Gomez për të ndihmuar në krijimin e disa këngëve origjinale.
Tani për tani, Vashketovët po kënaqen duke jetuar jashtë Majamit, diçka që i ndihmon djemtë të kenë qëndrueshmëri me shkollën, thonë prindërit. Së fundmi ata blenë një rezidencë me tetë dhoma gjumi prej 12.5 milionë dollarësh, e vendosur në qytetin e mrekullueshëm të Golden Beach.
Vashketovët thonë se fëmijët e tyre mund të ndalojnë së bërë video sa here e kur të duan. “Frymëzimi ynë vjen vërtet nga interesimi i Vladit dhe Nikit.” – thotë Sergey.
“Nëse përpiqemi të bëjmë diçka që ata nuk e duan, nuk duket autentike.”
Teksa Vlad rritet, vëllai i tij 3-vjeçar Christian mund të futet në valle. Zonja Vashketov thotë, edhe pse Christian është shfaqur tashmë në disa video, nuk ka plane për të krijuar një kanal për djalin e saj më të vogël. Kjo vlen edhe për vajzën që lindi zonja Vashketov në shtator.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal