Vendosni fjalën kyçe....

Shumica e gjermanëve nuk duan që Merkel të rikthehet – Sondazhi


Shumica e gjermanëve e kundërshtojnë një rikthim të mundshëm të ish-kancelares Angela Merkel, ka zbuluar një sondazh i ri. Ajo la postin e saj si drejtuese e qeverisë së vendit pak më pak se një vit më parë.

Një total prej 71% të anketuarish nuk do dëshironin ta shihnin ish-lideren në detyrë, ndërsa 23% do të mirëprisnin rikthimin e saj, sipas të dhënave të mbledhura nga instituti i sondazheve ‘Civey’ në emër të Funke Media Group dhe të raportuara nga disa media gjermane të shtunën.

Megjithatë, 43% e gjermanëve besojnë se ajo ishte një kancelare më e mirë se lideri aktual, Olaf Scholz. Pothuajse po aq qytetarë, 41%, kanë qëndrim të kundërt.

Merkel udhëhoqi katër qeveri të njëpasnjëshme gjermane për 16 vjet dhe për pak ditë do kishte thyer rekordin e kancelarit e mentorit të saj politik, Helmut Kohl. Që nga largimi nga posti, Merkel është përballur me kritika se politika e saj energjetike e bëri Gjermaninë shumë të varur nga importet ruse të energjisë.

Ish-kancelarja mbrojti vendimet e saj duke thënë se blerja e gazit rus ishte mënyra më e mirë drejt një të ardhmeje të gjelbër.

Në fillim të kësaj jave, ajo dha një intervistë të gjatë për të përjavshmen gjermane Der Spiegel, duke thënë se konflikti midis Moskës dhe Kievit nuk ishte befasi për të pasi ‘Marrëveshjet e Minskut u gërryen’ e nuk u zbatuan kurrë.

Ajo tha gjithashtu se kishte shpresuar për një format të ri dialogu për Rusinë dhe BE-në, por nuk mundi ta realizonte apo nxiste nismën.