Është rënduar bilanci i viktimave nga rrështjet e dheut në ishullin Ischia të Italisë. Numri i viktimave shkoi në shtatë ndërsa 10 persona janë ende të zhdukur. Qindra familje janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, thanë autoritetet vendase të dielën.
Pas një takimi të jashtëzakonshëm të kabinetit të mbajtur të dielën në mëngjes, kryeministrja italiane Giorgia Meloni shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për ishullin për shkak të ‘përmbytjeve të jashtëzakonshme dhe rrëshqitjeve të dheut’.
Qeveria ofroi 2 milionë euro ndihmë dhe ndihmë për popullsinë vendase, thuhet në një deklaratë.
Operacionet e shpëtimit janë ende duke u zhvilluar në zonën e Casamicciola Terme, por kushtet e vështira të motit e kanë ndërlikuar operacionin, tha departamenti i Mbrojtjes Civile të Italisë.
Të dielën, ekipet e shpëtimit gjetën gjashtë trupa, duke përfshirë atë të një vajze të re, ndërsa vazhduan të kërkonin nëpër baltë për të dytën ditë radhazi, duke u përpjekur të gjenin personat ende të zhdukur.
Trupi i një gruaje 31-vjeçare është nxjerrë nga balta të shtunën.
“Balta dhe uji priren të mbushin çdo hapësirë.” – tha Luca Cari, zëdhënësi i zjarrfikësve italianë, për televizionin shtetëror RAI.
“Ekipet tona po kërkojnë me shpresë, edhe pse është shumë e vështirë.” – shtoi zëdhënësi.
Rrëshqitja masive e dheut goditi ishullin popullor të pushimeve para agimit të së shtunës, pas reshjeve të dendura dhe ëoi në një masë balte dhe mbeturinash që vërshuan nëpër portin e Casamicciola, duke shembur ndërtesa dhe duke tërhequr zvarrë makinat në det.
Ekspertët thanë se fatkeqësia u përkeqësua nga ndërtimi i parregullt i ndërtesave në zonat me rrezik të lartë të rrëshqitjes së dheut në ishullin malor, i cili u godit gjithashtu në vitin 2017 nga një tërmet me magnitudë 4.0 që shkaktoi dy të vdekur dhe dëme të mëdha.