Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk kërcënon Apple me ‘luftë’


Shefi i ri i Twitter, Elon Musk, ka akuzuar Apple se ‘urren fjalën e lirë në Amerikë’ dhe se ka ndërmarrë lëvizje të ndryshme armiqësore kundër platformës.

“Apple ka ndalur reklamat në Twitter.” – pohoi Musk, duke shtuar në një postim të veçantë se kompania ‘ka kërcënuar gjithashtu se do ndalojë Twitter-in nga App Store, por nuk do të na tregojë pse’.

Sipërmarrësi denoncoi Apple për shtypjen e lirisë së shprehjes, duke nisur një sondazh nëse kompania ‘duhet të publikojë të gjitha veprimet e censurës që ka ndërmarrë që prekin klientët e saj’.

Brenda vetëm dy orëve, gati një milion përdorues të Twitter morën pjesë në të, me më shumë se 85% që votuan për këtë veprim.

Duke rritur sulmin e tij ndaj gjigantit të teknologjisë, Musk shkroi gjithashtu për ‘një taksë sekrete 30% për gjithçka që blini përmes App Store’. Në fakt, komisioni prej 30% i marrw nga Apple është kritikuar gjerësisht prej kohësh dhe madje ka shkaktuar një betejë të madhe gjyqësore kundër Epic Games, të cilën kompania e humbi përfundimisht.

Miliarderi e shoqëroi zbulimin e tij me një meme, me sa duket duke lënë të kuptohet se ishte gati të hynte në ‘luftë’ kundër Apple për komisionin prej 30%.

Musk gjithashtu ka përsëritur zotimin e tij për ta bërë Twitter-in më transparent dhe është zotuar të publikojë të dhëna mbi praktikat e censurës që platforma kishte zbatuar përpara marrjes së tij.

“Skedarët Twitter për shtypjen e lirisë së fjalës së shpejti do publikohen në Twitter. Publiku meriton të dijë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë…”

Twitter ka përjetuar një periudhë turbulence pasi Musk u bë shefi i ri i saj në fund të tetorit, duke parë atë që ai e quajti një ‘rënie masive të të ardhurave’ në javët e fundit. Miliarderi fajësoi spiralen në rënie të reklamuesve që u larguan, shumë prej të cilëve kanë ndërprerë fushatat e tyre në Twitter për shkak të reformave të tij në platformë.

Ndryshimet përfshinin pushimin nga puna të gjysmës së fuqisë punëtore të kompanisë, duke përfshirë ekipet përgjegjëse për komunikimin, ‘kurimin’ e përmbajtjes, të drejtat e njeriut dhe etikën, si dhe tarifimin e përdoruesve për veçorinë e verifikimit të Twitter.