Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti gjerman njeh si gjenocid urinë në Ukrainë në vitet 1930


Parlamenti gjerman ka miratuar një rezolutë përmes së cilës njihet si gjenocid uria në Ukrainë në vitet 1930, që njihet me termin Holodomor. Në këtë periudhë besohet se kanë vdekur mbi 3 milionë ukrainas gjatë sundimit shtypës të liderit të atëhershëm sovjetik, Josef Stalin.

Rezoluta u soll në Bundestag nga tri partitë e koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz dhe nga partia kryesore opozitare. Pas debatit më 30 nëntor, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori ukrainas në Gjermani, rezoluta u miratua, teksa për të abstenuan deputetët e dy partive opozitare.

Votimi i rezolutës në Parlamentin gjerman vjen disa ditë pasi Ukraina shënoi 90-vjetorin e nisjes së urisë.

Në rezolutë thuhet se “vdekjet masive nga uria nuk ishin rezultat i dështimit të korrjeve, udhëheqja politike e Bashkimit Sovjetik nën udhëheqjen e Josef Stalinit ishte përgjegjëse për vdekjet”.

“Nga perspektiva e ditëve të sotme, cilësimi historik dhe politik si gjenocid është i duhuri”, u tha në rezolutë.

Opinioni akademik mbetet i ndarë nëse uria përbën “gjenocid” dhe ka shumë pikëpyetje nëse Stalini qëllimisht kishte dëshiruar që të vriste ukrainasit në përpjekje për të shtypur lëvizjet për pavarësi nga Bashkimi Sovjetik, apo nëse uria ishte si rezultat i paaftësisë së zyrtarëve, së bashku me kushtet natyrore.

Sipas muzeut të Holomodorit në Kiev, edhe 16 shtete përveç Ukrainës, deri më tani e kanë njohur urinë si gjenocid: Australia, Ekuadori, Estonia, Kanadaja, Kolumbia, Gjeorgjia, Hungaria, Lituania, Letonia, Meksika, Paraguaji, Peruja, Polonia, Portugalia, Shtetet e Bashkuara dhe Vatikani. Ndërkaq, disa shtete të tjera, përfshirë Argjentinën, Kilin dhe Spanjën e kanë dënuar atë si “akt të shfarosjes”.

Javën e kaluar, Papa Françesku lidhi vuajtjet nëpër të cilat po kalojnë tani ukrainasit si pasojë e pushtimit rus, me urinë e viteve 1930, që tha se ishte “një gjenocid artificial i shkaktuar nga Stalini”.