Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Protestat në samite mbahen edhe në Paris, asgjë e keqe s’vjen nga protesta


Ish-kryeministri Sali Berisha po mban një konferencë me gazetarët, ku ka folur për protestën e 6 dhjetorit të thirrur nga ai.

Berisha tha se asgjë e keqe nuk vjen nga protestat, por vetëm të mira, dhe se qytetarët duhet të guxojnë dhe të kërkojnë llogari ndaj shtetit. Po ashtu ai theksoi se protestat në ditë Samitesh dhe takimesh të ndërkombëtarëve mbahen protesta kudo në Perëndim, për kauzat e qytetarëve.

“Për çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij, protestat janë shprehje e lirisë dhe ushtrim i lirisë nga qytetari.

Vetëm qytetarët e lirë që vendosin të mbrojnë lirinë dhe të drejtat e tyre, protestojnë, kurse njerëzit e nënshtruar thonë ç’më duhet mua, ulin kokën dhe heshtin.

Qytetarët kanë të drejtë të dëgjohen dhe protesta është një nga mënyrat më të fuqishme që ata të dëgjohen.

Protesta është pra zëri i qytetarëve, është zëri juaj.

Protestat kundër qeverisë janë jetike, janë domosdoshmëri për të ruajtur lirinë, për t’i bërë presion qeverisë për të mos abuzuar me pushtetin e saj.

Por unë sot dua të shtroj pyetjen për çdo qytetar: cila është e keqja e protestës? Ç’e keqe do na ndodhë nga protesta?

Asnjë e keqe, asgjë e keqe. Vetëm të mira, vetëdijësim, presion, kërkim llogarie, demonstrim se guxojmë si njerëz të lirë.

Të këqijat ndodhin kur njerëzit nuk reagojnë, kur mërmërsin se ç’më duhet mua dhe heshtin.

Të këqijat ndodhin kur qeveritë manipulojnë opinionin ndërkombëtar për të ruajtur korrupsionin e tyre dhe keqqeverisjen e tyre.

Zëri i qytetarëve në rrugë vetëm e forcon demokracinë dhe lirinë, vetëm e kufizon të keqen dhe keqqeverisjen.

Më 6 dhjetor, në Tiranë zhvillohet samiti i vendeve anëtare të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Protestat në samite dhe takime ndërkombëtare, përveçse në vendet diktatoriale, janë gjëja më normale, janë pothuajse ligj.

Kudo ku ka takime liderësh, ka protesta për kauzat. Qytetarët jo rrallë kanë kaluar në këto protesta edhe në mosbindje të thellë civile. Kjo ka ndodhur në Athinë, Xhenoa, Paris, Dublina, Uashington etj.

Pak javë më parë, amerikanët protestuan në Nju Jork gjatë samitit të OKB. Në Bruksel u zhvilluan protesta pak muaj më parë kur mbahej samiti me Afrikën i BE. Askush nuk i pengoi, askush nuk i ofendoi si agjentë të Kremlinit siç bën Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla.

Amerikanët protestojnë kur ka samite, francezët protestojnë kur ka samite, europiano-perëndimorët i qëllojnë me vezë dhe bojë kur ka samite. Por kjo nuk ndodh kurrë në Korenë e Veriut, në Kubë, Egjipt, Arabi Saudite apo gjetkë. Atje protestat janë të paligjshme dhe qytetarët nuk protestojnë dot. Në Moskë nuk lejohen protestat.”– tha Berisha.