Anëtari i Kryesisë së PD-së Eno Bozdo ka bërë me dije se deri në orën 15:00 në qarqet e vendit kanë votuar në Primare plot 42 mijë e 365 anëtarë dhe simpatizantë demokratë.
Ai garantoi se do të ketë transparencë lidhur me këtë proces ndërsa nuk la pa përmendur protestën e 6 dhjetorit ku ftoi të gjithë qytetarët të protestojnë kundër qeverisë.
“Sot kemi pasur një ditë të mirë, bëjmë thirrje dhe njëherë për të votuar. Bëj thirrje për protestën e 6 dhjetorit, të ketë një pjesë marrje sa më të madhe si sot në votime. Anëtarësia dhe simpatizantët po ushtrojnë të drejtën e tyre.
Besoj se shumë më interesante do jetë fakti sa do shkojë pjesëmarrja deri në fund, do bëjmë dhe diferencat mes anëtarëve e simpatizantëve. Të gjitha degët e Bashkisë Tiranë, 16 degët do numërohen në mënyrë transparente në prani të të interesuarve.
Do i shkojmë transparencës së procesit deri në fund. Vota e anëtarëve e simpatizantëve të PD ashtu siç jepet ashtu do të lexohet.
PD gjithmonë e ka ushtruar këtë instrument. Ka ende njerëz në radhë për të votuar. Do pritet edhe votuesi i fundit. Jemi ende herët.”- deklaroi Bozdo.
Votimet në Primare pritet të mbyllen në orën 18:00.