Një vajzë 14-vjeçare ka vdekur dhe një tjetër, 13-vjeçare, është plagosur rëndë pasi u sulmuan nga një burrë me thikë teksa po shkonin për në shkollë. Ngjarja ka ndodhur sot në Gjermaninë jugore.
Policia thotë se i dyshuari doli nga një strehë refugjatësh në fshatin Illerkirchberg të hënën në mëngjes dhe sulmoi nxënësit.
Sipas BBC, vajza më e madhe vdiq më vonë në spital. Policia gjermane ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili thuhet se është një azilkërkues nga Eritrea.
Oficerët kontrolluan një ndërtesë aty pranë dhe e gjetën atë me një thikë që ata dyshojnë se ishte përdorur në sulm. Gjithashtu u arrestuan edhe dy persona të tjerë.
I dyshuari ndodhet nën mbikqyrjen policore në spital ku po trajtohet për një lëndim të paspecifikuar.
Në një deklaratë, policia i kërkoi publikut të mos e përdorë incidentin për të ngjallur dyshime ndaj të huajve ose azilkërkuesve.
“Gjithçka që lidhet me këtë është plotësisht e paqartë deri më tani.”– u tha gazetarëve zëdhënësi i policisë Wolfgang Juergens.
Vajza 13-vjeçare thuhet se është duke u rikuperuar nga plagët e marra, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Illerkirchberg është një qytet i vogël me një popullsi prej më pak se 5 mijë banorë sipas regjistrimit të vitit 2015. Kryebashkiaku Markus Haeussler tha se të gjithë në qytet ishin të tronditur.