Ministri i Brendshëm i Kosovës ka pohuar sot se një pjesë e kriminelëve që qëndrojnë pas sulmeve të djeshme në komunat veriore Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut janë ish-policë serbë të dorëhequr pak javë më parë.
Në një deklaratë për mediat, Xhelal Sveçla theksoi se qytetarët serbë në komunat në very nuk kanë marrë pjesë në sulme.
“Tashmë kemi edhe të dhënat e para të mbledhura nga tereni, qoftë nga policia, qoftë nga inteligjenca, e cila na thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Edhe njëherë u dëshmua ajo që kemi thënë se konflikti dhe ndarja në këto komuna nuk është e dy etnive, por nga njëra anë janë qytetarët dhe nga ana tjetër bandat kriminale ekstremiste. Qytetarët e Kosovës që jetojnë në ato komuna nuk dolën për të mbështetur kriminelët. U dëshmua edhe njëherë se qytetarët nuk përkrahën krimin.” – ka thënë Sveçla.
Ministri shtoi se në sulmet e së martës janë përdorur bomba, granata dore e armë zjarri.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale e kanë cilësuar rastin si sulm ndaj rendit kushtetues, kryerje të veprave terroriste, zjarrvënie dhe mbajtje nën kontroll të paautorizuar të armëve.” – shtoi Sveçla.
Sulmet në Zubin-Potok e Mitrovicën e Veriut ndodhet ditën e djeshme ku zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, janë sulmuar me bomba teksa kanë tentuar të hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore. Po kështu gjatë sulmeve ka pasur edhe të shtëna në ajër me armë zjarri.