Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Boçit: Prokuroria e Tiranës po përpiqet të mjegullojë sulmin ndaj Berishës


Nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi ka denoncuar Prokurorinë e Tiranës se po përpiqet të mjegullojë sulmin fizik ndaj kreut të partisë Sali Berisha gjatë protestës së 6 dhjetorit.

Ai e bëri denoncimin në A2 duke theksuar se prokuroria ka vonesa të pajustifikuara dhe se ka thirrur për të dëshmuar të personave që gjoja kanë qenë dëshmitarë apo pjesëtarë në ngjarje.

Numri dy i PD-së përmendi rastet e vrasjes së Klodian Rashës e vdekjes së Lear Kurtit si shembuj të rasteve ku prokuroria është bazuar te raportet e falsifikuara të policisë.

“Më duket se kjo është një tentativë për ta mjegulluar ngjarjen, për të fituar kohë. Gjendja shëndetësore është normale, nuk ka komplikacione për shkak të goditjes. Aktiviteti i tij politik është intensiv dhe vazhdon edhe në këto momente. Prokuroria me veprimet e saj vendos hije dyshimi mbi mënyrën sesi u realizua ngjarja kriminale sepse ka disa vonesa të pajustifikuara, sikurse ka brenda saj edhe thirrje të pajustifikuara të personave që gjoja kanë qenë dëshmitarë apo pjesëtarë të ngjarjes. Më duket se kjo është një tentativë për ta mjegulluar ngjarjen, për të fituar kohë dhe ndoshta edhe për të realizuar një situatë të mundshme siç ka ndodhur shpesh me rastin e Lear Kurtit apo me rastin e Klodian Rashës, kur provat janë falsifikuar nga policia dhe ka dalë një raport krejt ndryshe dhe prokuroria nuk ka ndryshuar asgjë.” – tha Boçi.