Kredia bankare po shtrenjtohet dukshëm edhe për bizneset.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se normat mesatare të interesit për kreditë e reja të kompanive private janë në rritje, si në Lekë, ashtu edhe në Euro.
Në muajin tetor, norma mesatare e interesit për kreditë e reja të bizneseve në Lekë arriti në 6.81%, nga 5.41% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është njëkohësisht niveli më i lartë i regjistruar që prej fillimit të vitit 2019.
Rritja është veçanërisht e theksuar te kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, që zakonisht kanë edhe afatet më të gjata të maturimit. Statistikat tregojnë se norma mesatare e interesit për këtë segment gjatë tetorit arriti në 7.75%, në rritje me pothuajse 2.5 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Normat e interesit në kredinë për bizneset po rriten paralelisht edhe në monedhën Euro, megjithëse për momentin në përmasa më të kufizuara.
Norma mesatare e interesit për kreditë e reja të bizneseve në Euro gjatë tetorit arriti në 5%, nga 4.31% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Interes mesatar i kredive në Euro ka prekur nivelin më të lartë qysh prej vitit 2017. Edhe në rastin e Euros, rritja më e ndjeshme e interesave është regjistruar në kreditë për pasuri të paluajtshme.
Analiza e fundit e aktivitetit kreditues, e Bankës së Shqipërisë, tregon se rritja e normave të interesit po prek veçanërisht kreditë për biznesin e vogël dhe të mesëm. Kjo është edhe kategoria ku rritja e normave të interesit është transmetuar më shpejt, duke qenë se kushtet për këto kredi janë më të standardizuara dhe fuqia negociuese e bizneseve është e kufizuar.
Bankat e Shqipërisë këtë vit ka rritur normën bazë të interesit me 2.25 pikë përqindje në më pak se tetë muaj, duke përcjellë rritjen edhe në segmentet e tjera të tregut financiar.
Përveç rritjes së normave të interesit, në përgjithësi oferta e bankave për kredi ndaj bizneseve është shtrënguar, në reflektim të një përqasjeje më të kujdesshme të bankave ndaj financimit dhe tolerancës më të ulët për të marrë rrezik.
Kushtet më të shtrënguara të kreditimit janë diktuar nga situata aktuale makroekonomike e financiare, dobësimi i kërkesës së brendshme dhe paqartësitë e shtuara lidhur me perspektivën e ekonomisë.
Këta faktorë kanë rritur shqetësimet e bankave lidhur me aftësinë paguese të bizneseve, sidomos të biznesit të vogël e të mesëm, i cili, nën optikën e vlerësimit të rreziqeve nga ana e bankave, konsiderohet si segmenti më vulnerabël ndaj goditjeve në ekonomi.
Kujdesi i shtuar i bankave në kreditimin e bizneseve, u reflektua edhe në miratimin e një numri më të ulët të kërkesave në raport me totalin e aplikimeve për kredi.
Kushtet e termat e kreditimit joçmim u shtrënguan, nëpërmjet miratimit të kredive në madhësi më të ulëta nga ajo e kërkuar prej bizneseve, shtimit të kushtëzimeve në marrëveshjet e nënshkruara mes palëve, rritjes së komisioneve, si edhe nga shkurtimi i maturitetit maksimal të kredisë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al