Vendosni fjalën kyçe....

Kriza energjetike, Kosova zgjat masat emergjente edhe për 30 ditë


Duke marrë parasysh krizën energjetike evropiane nga e cila po ndikohet edhe Kosova, në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendi ka mbështetur vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji edhe për 30 ditë.

Kuvendi me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim miratoi masat emergjente.

Jeta Statovci nga Grupi parlamentar i LVV-së tha se qëllimi i masave emergjente në furnizimin e energjisë është që të arrihet stabiliteti energjetik në prag të dimrit.

Deputetja ka thënë se grupi parlamentar i LVV-së mbështet vazhdimin e masave emergjente në furnizimin me energji.

Këtë vendim e ka arsyetuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila kërkoi nga deputetët ta mbështesin këtë vendim me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes me energjie elektrike.

“Duke marrë parasysh krizën energjetike evropiane nga e cila po ndikohet edhe vendi ynë, në funksion të tejkalimit të kësaj situate, Qeveria e Kosovës i propozon Kuvendit të Kosovës zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energjie elektrike me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes dhe marrjes së masave shtesë dhe vazhdimit të masave ekzistuese.”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim me sektorin e energjisë.

Në seancën e Kuvendit, Shala ka thënë se ekzekutivi nuk po bën asnjë veprim konkret, legjislativ e as operacional për ndryshimin e gjendjes në këtë sektor.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka thënë se Qeveria Kurti nuk ndërmori asnjë veprim për të gjetur zgjidhje për krizën energjetike.

Mustafa gjatë fjalës së tij në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës ka thënë se LDK-ja paralajmërimet për krizën energjetike i ka dhënë nga pranvera e vitit 2021.

“Qeveria i injoroi të gjithë ekspertët vendor e ndërkombëtarë. Shpresuam që qeveria do të marr ndonjë veprim tjetër me ekspertët e saj, por nuk ndërmori asgjë. E gjithë Evropa po ballafaqohet me këtë krizë energjetike, por të gjithë kanë marr masa që të zbusin masat për qytetarët e saj, ndërsa Kosova nuk ka bërë asgjë. I vetmi veprim që kanë marr është shpallja e gjendjes emergjente”.

Më 24 dhjetor të vitit 2021, Qeveria e Kosovës pati shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike.

“Si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Më pas, me 23 shkurt të këtij viti, Qeveria kishte marrë vendim që të zgjatet edhe për 30 ditë gjendja emergjente e furnizimit të energjisë elektrike. Këto masa kanë vazhduar çdo here deri më tani .

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën, si dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës.

Autoritetet e Kosovës në vazhdimësi u kanë bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të energjisë të ulet.

Sipas tyre, marrë parasysh që Kosova gjendet në rrjetin e përbashkët energjetik evropian, i cili po vuan nga kriza ekstreme energjetike, si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, situata energjetike në të cilën mund të gjendet vendi gjatë muajve të dimrit, mbetet e paqartë dhe e pasigurt.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor