Vendosni fjalën kyçe....

Associated Press: Plani i trafikut në Oxfordshire të Anglisë, nuk është një ‘karantinë klimatike’

Sipas Associated Press, lajmi sipas të cilit qarku i Oxfordshire, Angli, i cili përfshin qytetin e Oksfordit, po imponon një ‘karantinë klimatike’ që do kufizojë banorët në lagjet e tyre, është i pavërtetë.

Oxfordshire ka miratuar një plan për vendosjen e ‘filtrave të trafikut’ në disa rrugë kryesore, duke kufizuar aksesin e shoferëve gjatë orëve të ditës dhe duke liruar hapësirë ​​për autobusët, çiklistët dhe këmbësorët. Por pronarët e makinave mund të aplikojnë për leje njëditore për të anashkaluar rregullat e reja dhe shumë automjete të tjera janë të përjashtuara. Të gjitha pjesët e qarkut do të mbeten të aksesueshme me makinë, thanë zyrtarët.

Javën e kaluar, udhëheqësit lokalë në Oxfordshire votuan për të provuar një sistem të ri të reduktimit të trafikut në një përpjekje për të reduktuar mbipopullimin në qytetin kryesor të qarkut. Disa në mediat sociale e kanë krahasuar që atëherë skemën me politikat e rrepta të qeverisë për kontrollin e Covid-19.

‘Filtrat e trafikut’ të Oxfordshire nuk do bllokojnë hyrjen në asnjë pjesë të qytetit të Oksfordit ose në pjesën tjetër të qarkut apo të mbyllin njerëzit në lagjet e tyre, tha qeveria e qarkut për Associated Press.

“Çdo vend në qytet do të jetë ende i aksesueshëm me makinë.” – shkroi në një email Paul Smith, zëdhënës i Këshillit të Qarkut Oxfordshire.

“Askush nuk do të ketë nevojë për leje nga këshilli i qarkut për të ngarë makinën ose për t’u larguar nga shtëpia e tij.

‘Filtrat e trafikut’ janë kamera për njohjen e targave, jo barriera fizike. Nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00, drejtuesit e makinave private do gjobiten automatikisht nëse kalojnë nëpër filtra pa leje. Personat që jetojnë në Oksford do mund të aplikojnë për leje 100 ditore për të ngarë nëpër filtra pa leje.

Qyteti dhe qarku theksuan në një deklaratë të përbashkët se kufizimet e trafikut nuk do ‘përdoren për të kufizuar njerëzit’ në një zonë të caktuar.

“Të gjithë mund të kalojnë nëpër të gjitha filtrat në çdo kohë me autobus, biçikletë, taksi, skuter ose në këmbë.” – shtohet në deklaratë.

Shumë automjete, si furgonat dhe motoçikletat, janë të përjashtuara nga rregullat e reja. Drejtuesit me aftësi të kufizuara dhe ekipet e emergjencave nuk do preken gjithashtu.

Drejtuesit që nuk kanë leje do mund të hyjnë në gjithë qytetin pa u gjobitur.

Ata ‘mund të kenë nevojë thjesht të përdorin një rrugë tjetër ose të kalojnë nëpër unazë për të shmangur filtrat e trafikut’ shkroi Smith.

Në qytetin e Nju Jorkut, zyrtarët po shqyrtojnë mundësinë e ngarkimit të shoferëve me një tarifë shtesë për hyrjen në zonat e tij më të mbipopulluara. Praktika zakonisht referohet si çmimi i mbingarkesës dhe është përdorur në qytete duke përfshirë Londrën, Singaporin dhe Stokholmin, sipas AP.

Qytetet e mëdha në mbarë botën kanë eksperimentuar gjithashtu me mbylljen e rrugëve për trafikun e makinave si një mënyrë për të nxitur banorët të ecin në këmbë ose me biçikletë. Në një shembull të fundit të SHBA-së, San Francisko në prill votoi për të bërë një rrugë përmes Parkut të tij të famshëm Golden Gate, përgjithmonë ‘pa makina’.