Ish-Presidenti kroat, Stipe Mesiç, thotë se sulmi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha i tri ditëve më parë ishte i planifikuar.
Në një intervistë për gazetën “Panorama” të realizuar pas takimit të djeshëm me Berishën, Mesiç u shpreh se ajo që ndodhi më 6 dhjetor nuk është një incident, por një atentat që mund të kishte shkaktuar vdekjen e kreut të opozitës.
“Unë nuk do ta quaja incident, por si atentat i montuar. Është njësoj, sikur një e rrahur e rëndë e rrëzon njeriun në tokë dhe njeriu duke u rrëzuar mund t’i bjerë koka në beton dhe mbetet i vdekur. Për këtë arsye, quhet atentat ndaj kreut të opozitës. Doktor Sali Berisha nuk është njeri i panjohur, por ka qenë qeveritar dhe në të gjitha pozicionet politike në Shqipëri. Është njeri që e njeh i gjithë rajoni gjithë Ballkani, Evropa dhe gjithë bota.”- tha Mesiç.
Ish-presidenti kroat tha se ky ata që qëndrojnë pas këtij sulmi janë kundër demokracisë, kundër pluralizmit dhe kundër çdo procesi demokratik.
“Mesazhi im është që ky është një sulm kundër demokracisë. Mbas këtij sulmi, me siguri qëndrojnë struktura të ndryshme. Nuk kam informacione të hollësishme se kush qëndron pas kësaj, por kjo është edhe një gjë kundër atyre liderëve që ishin atë ditë në Shqipëri, pra përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Unë nuk dua të them diçka për këtë çështje, sepse s’kam informacione të sakta, por e sigurt është se pas asaj që ndodhi qëndron dikush tjetër. E sigurt është se qëndrojnë ata, të cilët janë kundër demokracisë, kundër pluralizmit dhe kundër çdo procesi demokratik.”– tha ish-presidenti i Kroacisë.