Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori amerikan në Kosovë: Sulmi ndaj EULEX-it është i papranueshëm


Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar lidhur me sulmin e mbrëmshëm me bombë çorientuese ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it.

Në një postim në Twitter, Hovenier i ka konsideruar të papranueshme sulmet dhe ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.

“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë.”- shkruan Hovenier në Twitter.

Ky reagim vjen pasi më herët EULEX njoftoi se mbrëmë kishin hedhur një bombë ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudare të Kosovës.

Për fat të mirë nga ky incident nuk njerëz të lënduar e as dëme materiale.

EULEX i konsideron të papranueshme këto sulme si ky por edhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe u bën apel të gjithëve të përmbahen nga veprimet provokuese.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale. 

Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar.”- thuhet në njoftimin e EULEX-it i cili thekson se do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës si dhe ka kërkuar vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.