Vendosni fjalën kyçe....

Investitorët po largohen nga kriptot në numra rekord pas falimentimit të FTX


Investitorët kanë tërhequr një sasi rekord të monedhave dixhitale nga shkëmbimet globale të kriptomonedhave mes frikës për sigurinë e aseteve të tyre pas falimentimit të bursës kryesore FTX, tregojnë të dhënat nga firma analitike Crypto Compare.

Sipas raportit, 91,363 bitcoin u tërhoqën nga shkëmbimet e centralizuara si Binance, Kraken dhe Coinbase në nëntor. Ato kishin vlerë rreth 1.5 miliardë dollarë bazuar në çmimin mesatar të muajit të kaluar prej rreth 16,400 dollarë.

“Bitcoin regjistroi daljet më të mëdha nga shkëmbimet në historinë e tij. Që prej rënies së FTX, shkëmbimet e centralizuara kanë dëshmuar një sërë largimesh pasi aktorët e tregut kërkojnë të ruajnë fondet e tyre.” – tha Crypto Compare. Nga raporti nuk është e qartë nëse fondet po shiten apo po kalojnë në kuletat private.

Të dhënat treguan gjithashtu se trendi i largimeve ka vazhduar në dhjetor, me 4,545 bitcoin të tërhequr nga shkëmbimet e centralizuara në shtatë ditët e para të muajit, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u panë hyrje prej 3,846 bitcoin.

Nxitimi për largimet vjen pasi FTX, një ndërmjetës dikur i madh për tregtimin e kriptove, paraqiti kërkesën për mbrojtje nga falimentimi në mes të nëntorit. Rënia e kompanisë la deri në 1 milion kreditorë të FTX pa qasje në asetet e tyre, prishi besimin e investitorëve te kriptovalutat dhe shkaktoi një reaksion zinxhir në tregun e kriptove.

Në fund të nëntorit, një tjetër huadhënës i kriptomonedhave, BlockFi, bëri kërkesë për falimentim. Sipas Bloomberg, mbi 130 entitete të lidhura me FTX janë shembur deri më tani.

Eric Robertsen, kreu global i kërkimit në Standard Chartered Bank, paralajmëroi këtë javë se kriza e tregut të kriptove do vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

“Ndërsa shitja e bitcoin ngadalësohet, dëmi është bërë. Gjithnjë e më shumë firma dhe shkëmbime kriptosh e gjejnë veten me likuiditet të pamjaftueshëm, duke çuar në falimentime të mëtejshme dhe një kolaps të besimit të investitorëve në asetet dixhitale.” – tha ai për Financial Times.