I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar sot me presidentin serb Vuçiç lidhur me tensionet në veri të Kosovës ditët e fundit.
Sipas zyrtarit të lartë evropian, gjatë takimit është biseduar për gjetjen e një zgjidhjeje për uljen e tensioneve e heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.
“Patëm një diskutim të hapur dhe të sinqertë për një zgjidhje politike që do ulte tensionet dhe do mundësonte largimin e barrikadave. Ai e kupton seriozitetin e situatës.” – deklaroi Lajçak.
Tensionet në Kosovës vijojnë prej ditësh. Pas shpërthimeve në veri para pak ditësh Policia e Kosovës arrestoi një serb, ish-efektiv i saj.
Kjo çoi në protesta të shumta nga ana e serbëve në veri të Kosovës. Pas kësaj Prishtina zyrtare vendosi shtyrjen për në prill 2023 të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat e veriut, që ishin parashikuar të zhvilloheshin në dhjetor 2022.
Po kështu u mbyllën dy pika kufitare në veri, ajo e Jarinjës dhe ajo e Bërnjakut. Grupe të armatosura serbe u akuzuan se qëlluan me armë ndaj patrullave të Policisë së Kosovës e gazetarëve të mediave nga Kosova si dhe ndaj forcave të EULEX-it.
Dy ditë më parë presidenti serb Vuçiç tha se do i kërkonte KFOR-it që të lejonte vendosjen e një mijë trupave serbe në veri të Kosovës.
Deklaratës së Vuçiçit iu përgjigj kryeministri i Kosovës Kurti i cili tha se ish-ministri i Sllobodan Millosheviçit kërkon rikthimin e asaj kohe dhe se është orkestrues e organizatori i dhunës në Kosovës me qëllim destabilizimin e vendit dhe të rajonit duke nxitur një tjetër luftë.