Ish-marinsi amerikan Chris Beck, i cili doli si transgjinor në vitin 2013, ka thënë për Neë York Post se adoleshentët duhet të mendojnë dy herë përpara se të përpiqen të ndryshojnë gjininë e tyre. Beck akuzoi mjekët që kryejnë procedura të tilla si ‘kasapë fëmijësh’.
Beck shërbeu në ushtrinë amerikane për 20 vjet, mori pjesë në 13 misione jashtë vendit dhe ishte anëtar i SEAL Team Six, njësia që vrau Osama bin Laden. Pas largimit nga ushtria në vitin 2013, ai deklaroi se ishte transgjinor dhe kishte vendosur të jetonte si grua.
Kristin Beck – siç e quajti ai veten në atë kohë – u lavdërua nga CNN dhe drejtoi një paradë krenarie në San Francisko. Ai iu nënshtrua terapisë hormonale, operacionit të fytyrës dhe zmadhimit të gjoksit në mënyrë që të ‘bënte trupin të përputhej me identitetin e tij’, siç shkruante ai në autobiografinë e tij, ‘Princesha Luftëtare’.
Sidoqoftë, ai i tha podkasterit konservator Robby Starbuck në fillim të këtij muaji se ky proces ‘shkatërroi jetën time’. Beck tha se ai ishte ‘propaganduar’ gjatë shndërrimit gjinor dhe se i dhanë hormone nga mjekë të cilët kurrë nuk e vunë në dyshim gjendjen e tij mendore. Ai e ndaloi marrjen e këtyre hormoneve në vitin 2015 dhe i tha Starbuck-ut se është kthyer sërish dhe se po jeton si burrë.
Duke folur për Neë York Post të hënën, Beck e quajti ‘të papranueshme’ që mjekët po kryejnë të njëjtin proces tek adoleshentët.
“Ata nuk janë zhvilluar plotësisht dhe kushdo që ka pasur ndonjëherë një fëmijë e di këtë. Ne nuk mund t’i lejojmë këta mjekë të masakrojnë fëmijët.”
Tani për tani ka më shumë se 60 klinika pediatrike gjinore në SHBA, nga një pjesë e vogël që kanë qenë rreth 10 vjet më parë. Terapistët dhe mjekët privatë ‘të panumërt’ po kryejnë gjithashtu procedura potencialisht të pakthyeshme për fëmijët, sipas një raporti të Neë York Times në qershor. Disa janë shprehur publikisht se kanë kryer operacione gjenitale tek të miturit.
“Këta mjekë po ju çojnë në rrugë të gabuar,” tha Beck, duke ua drejtuar komentet e tij të rinjve.
Disa shtete të udhëhequra nga republikanët kanë lëvizur për të ndaluar kirurgjinë dhe trajtimin transgjinor për të miturit. Presidenti Joe Biden i quajti këto përpjekje ‘të gabuara’ e ‘të ashpra’, duke deklaruar në tetor se administrata e tij mbështet procedurat ‘afirmuese gjinore’ për fëmijët.