Vendosni fjalën kyçe....

Dymbëdhjetë fëmijë mes 39 të shpëtuarve nga gomonia me emigrantë në Britani


Dymbëdhjetë fëmijë ishin në mesin e 39 personave të shpëtuar nga një varkë emigrantësh e cila u fundos në Kanalin Anglez të mërkurën.      

Nndërkohë u zbulua se një adoleshent ishte në mesin e katër personave që vdiqën në incident, ndërsa kërkimet vazhdojnë për katër persona ende të zhdukur.

Emigrantët ishin në një gomone e cila filloi të fundosej në ujërat e ngrira midis Kentit dhe Francës. Siç shkruan BBC, ekuipazhet e një anije peshkimi aty pranë dhe varkat e shpëtimit ndihmuan në shpëtim.

Një operacion kërkimi për katër personat ende të zhdukur po kryhet me dron.

“Realiteti është se ata tani po kërkojnë trupa të vdekur dhe jo të mbijetuar.”-tha reporteri Simon Jones i BBC-së.

Fëmijët që u shpëtuan janë marrë nën kujdesin e Këshillit të Qarkut Kent.

Në një deklaratë të përbashkët, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca u zotuan të “shkatërrojnë” modelin e biznesit të bandave të kontrabandës së njerëzve.

Sekretarja e Brendshme Suella Braverman dhe homologu i saj francez Gérald Darmanin thanë se tragjedia theksoi nevojën për të parandaluar së bashku kalimet e paligjshme të Kanalit.