Policia ka zhvilluar një operacion anti-drogë nga i cili ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër
Nga operacioni i koduar “Furnizuesit” nga strukturat e policisë Tiranë u sekuestruan 2 kg e 30 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 5250 euro, 120.000 lekë të rinj, një automjet dhe 3 aparate celulare.
“Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën informative, pas një pune të mirëfilltë hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Furnizuesit”.
Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-I. B., 29 vjeç dhe N. D., 37 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. H.
Në rrugën “Mikel Maruli”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin N. D. dhe pasagjer shtetasin I. B. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë rreth 2 kg e 30 gramë, të cilat u sekuesteuan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin, 5250 euro, 120.000 lekë të rinj dhe 3 aparate celulare.
Vijon puna për kapjen e shtetasit E. H.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.