Një gjykatës shqiptar është bërë objekt i interesimit të shërbimeve të huaja inteligjente pas disa interceptimeve elektronike që sugjerojnë implikimin e tij në një skemë për anulimin e ekstradimit të një shtetasi kinez të konsideruar si “tepër i rrezikshëm”.
Shtetasi kinez Liangbin Chen u arrestua në Tiranë disa javë më parë ndërsa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si truri i një skeme vjedhje dhe spekulimi financiar ku përfshiheshin kriptomonedhat, bankat dhe biznesi i kazinove që shërbente për pastrimin e parave.
Qeveria kineze e ka shpallur atë në kërkim por emri i tij është me “pullë të kuqe” dhe në sistemet e disa shteteve të tjera si person me rrezikshmëri të lartë.
Pasi u arrestua në Tiranë fillimisht dyshohet se ai nëpërmjet një rrjeti avokatësh shqiptarë dhe të huaj, ndërhynë për të falsifikuar gjendjen e tij shëndetësore dhe e transferuan në spitalin e burgut.
Gjatë kohës që ai qëndronte në spital, shërbimet inteligjente partnere interceptuan disa telefonata të tij dhe zbuluan se Liangbin Chen po përgatiste arratinë. Ndërhyrja ishte energjike dhe gjykata e shkallës së parë vendosi ta lërë atë në “arrest shtëpiak”, ndërsa policia e shtetit caktoi një bazë të vrojtuar 24 orë me të paktën 4 efektivë.
Tashmë çështja është në gjykatën e Apelit ku pritet vendimi për ekstradimin e tij.
Mirëpo në mënyrë të çuditshme gjyqtari i çështjes Genti Shala ka shtyrë dy herë seancën për dhënien e vendimit.
Në dukje shtyrja e seancës është bërë për arsye proceduriale, mungesa e avokatit të shtetasit kinez apo mungesa e një përkthyesi ligjor.
Por një tjetër interceptim elektronik i shërbimeve inteligjente ka zbuluar se njerëz tepër të afërt të shtetasit kinez dhe familjarë të tij, kanë pretenduar se gjykatësi po i shtyn seancat “sa të bjerë pak buja mediatike”.
“Ka disa komunikime të cilat sugjerojnë se të afërm të shtetasit të shumëkërkuar kinez informojnë partnerët e tyre se kanë arritur në dakordësi me gjykatësin nëpërmjet komunikimeve diskrete që ata bëjnë me palë të treta ndërmjetësuese. Madje në njërin prej interceptimeve një familjar i të shumëkërkuarit i thotë personit me të cilin po komunikonte se gjykatësi ishte në dilemë se çfarë do të vendoste dhe për këtë arsye ka shtyrë seancën pasi ai ndjente presion mediatik, por nëse nuk do ekzistonte vëmendja mediatike gjykatësi do arrinte në ujdi me ta.”- i tha Hashtag.al një burim diplomatik.
Sipas burimit, ky interceptim ka kthyer prozhektorët te gjykatësi Genti Shala i cili dyshohet se mund të ketë rënë në ujdi me partnerët e shtetasit kinez për t’i krijuar atij lehtësi dhe për të anuluar ekstradimin./Hashtag.al