Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale me seli në Hagë me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Vendimi nga Gjykata Speciale u dha sot.
“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim.”- ka thënë kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia.
Sipas gazetës Express, kryetarja e trupit gjykues ka lexuar disa pika të ngritura në aktakuzë kundër Sali Mustafës të cilat i ka trajtuar veç e veç. Sipas saj, Mustafa është përgjegjës për vrasjen e një të dyshuari në kompleksin e BIA-s në Zllashë, duke vepruar ose mos vepruar. Gjyqtarja ka thënë se viktimat që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër Mustafës janë të frikësuar për veten dhe familjarët e tyre, dhe ende janë të traumatizuar për gjërat që kanë përjetuar.
Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Në përmbledhje të aktgjykimit, kryegjakatësja ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.
“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën.”– ka thënë ajo.
Kur u arrestua Mustafa?
Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.
Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.
Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.