Pas Adnan Xholit, kandidati tjetër në garë për kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, ka nisur prezantimin përpara KLP-së.
Gjatë fjalës së tij, Dumani dha vizionin e një Prokurorie të Posaçme të drejtuar prej tij, që do të fokusohet në bashkëpunimin dhe punën në grup.
“Ndihem shumë i motivuar për të garuar për këtë funksion, pasi nëse më jepet mundësia për të drejtuar këtë institucion, do të kem në fokus ndërtimin e një strukture të aftë për të luftuar korrupsionin. Unë besoj se suksesi bazohet nga bashkëpunimi, nga puna në grup, nga autonomia dhe nga integriteti i çdo anëtari të Gjykatës së Posaçme. Të flas për veten, sa herë më është dashur të angazhohem në gara, është pak e vështirë, pasi ne prokurorët jemi pak të kursyer për veten.”- tha Dumani.
Prokurori që kandidon për postin e lartë thotë se e sheh këtë jo si një punë, por si një mision të jetës së tij.
“Nuk e kam parë asnjëherë si një vend pune e kam parë si një mision dhe këtë frymë kam përhapur te të gjithë kolegët. Një mision që kërkon angazhim maksimal dhe jam përpjekur që në këto 3 vjet të jap angazhimin maksimal. Garancia më e madhe e krijimit të një prokurorie të suksesshme është bilanci që unë kam këto tre vite. Megjithëse kam mbajtur postin e zëvendëskryetarit unë kam marrë një numër të plotë çështjesh për hetim.”- deklaroi Dumani.