Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Berishës: Shefit të Shërbimit Informativ i mbyllen dyert dhe nuk i lejohet të marrë detyrën


Kreu i PD-së Sali Berisha ka bërë sot një denoncim të fortë në lidhje me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror. Sipas tij, shefit të SHISH-it i mbyllen dyert e shërbimit dhe nuk i lejohet të marrë detyrën.

“Informoj shqiptarët se në dhunim flagrant të Kushtetutës së vendit, në një akt mafioz të pashembullt, shefit të shërbimit informativ, të emëruar në përputhje me Kushtetutën e vendit nga Presidenti i Republikës, të dërguar për shkollim në SHBA, pas kthimit nga shkollimi në kundërshtim me ligji, i mbyllen dyert e shërbimit dhe nuk i lejohet të marrë detyrën, pa asnjë akt, pa asnjë vendim, të atij që supozohet të jetë kryetar shteti, dhe që mbron firmën e institucionit.

Shefi i shërbimit informativ kombëtar, propozohet nga kryeministri, por emërohet nga presidenti, dhe po me ligj, ai u raporton të dyve.

Ky është një akt i turpshëm, që dëshmon se këtu nuk ka shtet, por ka vetëm një njeri që nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe parim dhe ky është Edi Rama.”– tha Berisha.

Kryedemokrati tha se një akt i tillë nuk mund të pranohet dhe nëse kryeministri Edi Rama e konsideron Helidon Bendon “spiun të amerikanëve” atëhere duhet të bëjë transparencë.

“Ju mund të merrni deklaratat e mia për Bendon, asnjë konsideratë të veçantë nuk kam shprehur, përkundrazi kam shprehur të gjithë rezervat e mia. Por a mund të pranohet një akt banditesk, një akt banditesk. Nëse Edi Rama e konsideron atë spiun të amerikanëve, francezëve apo gjermanëve, ai duhet të bëjë transparencë para shqiptarëve, sepse për aq kohë sa Helidon Bendo ka kryer atë detyrë, ka drejtuar një institucion kushtetues. Është një emërtesë kushtetuese. Emërohet nga kreu i shtetit dhe nuk ka askush të drejtë, pa pëlqimin e kreut të shtetit, me shkrim, as ta pezullojë, as ta shkarkojë.

Këto janë akte banditeske, akte të turpshme. Dënoj me ashpërsinë më të madhe.”- shtoi Berisha.