Dy adoleshentë janë qëlluar për vdekje dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur jashtë një shkolle publike në Çikago të premten pasdite.
Të katër adoleshentët u dërguan në Spitalin John H. Stroger, tha zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve të Çikagos, Larry Merritt.
Por, një djalë vdiq në momentin e mbërritjes në spital dhe një tjetër vdiq më vonë atje. Djali dhe vajza tjetër nuk kanë plagë kërcënuese për jetën.
Shefi i policisë së Çikagos, David Brown tha në një konferencë shtypi të premten se autoritetet nuk kishin asnjë të dyshuar në paraburgim.
“Natyrisht, ne po kryejmë një hetim mjaft agresiv.”- tha ai sipas NYT.
Të shtënat kanë ndodhur rreth orës 13:50 jashtë shkollës së mesme publike Benito Juarez Community Academy, ku shkojnë rreth 1700 nxënës. Studentët kishin filluar të dilnin pasi kishin marrë pushimin e fundjavës, kur filluan të shtënat.
“Çdo krim kudo në qytet është padyshim një shqetësim për ne, por veçanërisht kur ato janë afër ose rreth shkollave.”- tha Brown.
Shefi ekzekutiv i Shkollave Publike të Çikagos, Pedro Martinez, tha në konferencën për shtyp se qyteti do të ofrojë mbështetje për fëmijët e prekur gjatë fundjavës dhe javën e ardhshme përpara se të përfundojë semestri shkollor.