Vendosni fjalën kyçe....

Franca reagon për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE: Dialogu me Serbinë kusht kryesor


Franca mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa bën thirrje që vendi të vazhdojë me reforma.

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës përmes një komunikate për media i ka bërë thirrje Kosovës që të vazhdojë reformat e nevojshme për afrimin e saj me Evropën.

“Bën thirrje Kosovës që të vazhdojë reformat e nevojshme për afrimin e saj me Evropën, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e personave që u përkasin pakicave. Franca do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e ndërmarra në këtë fushë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se Kosova dhe Serbia duhen të angazhohen me përgjegjësi në dialog për normalizim të marrëdhënieve, pasi që thuhet se ky është kusht thelbësor për antarësim në BE.

“Kosova, ashtu si Serbia, duhet gjithashtu të angazhohet me përgjegjësi dhe konstruktive në dialog me synimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që është kusht thelbësor për afrimin evropian të dy vendeve dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”.