Vendosni fjalën kyçe....

Finalja e rekordeve Francë- Argjentinë, çfarë duhet të dini për superduelin e Botërorit të Katarit


Botërori i futbollit Katar 2022 ul sot siparin me finalen Francë-Argjentinë që luhet në orën 16:00 në stadiumin ‘Lusail’. Ndeshja është e fundit e një turneu me 64 të tilla, ku janë parë të gjitha, gola, spektakël, polemika, emocione.

Franca e Argjentina vijnë në finale nga histori të ndryshme. Kampionët në fuqi të Francës kërkojnë trofeun e dytë radhazi, ndërsa argjentinasit duan të thyejnë ‘mallkimin’ e të rikthehen në majën e futbollit botëror pas një mungese 36-vjeçare.

Kur dhe ku është finalja e Kupës së Botës?

Finalja e Kupës së Botës FIFA 2022 zhvillohet sot, në stadiumin ‘Lusail’ në orën 16:00, rreth 20 kilometra në veri të kryeqytetit Doha. Kapaciteti i stadiumit është rreth 89 mijë persona, duke e bërë atë stadiumin më të madh të këtij botërori.

Nëse stadiumi do mbushet plotësisht, kjo do jetë finalja me më shumë tifozë pas asaj të Botërorit 1994 në SHBA, ku në shkallët e stadiumit ishin 94 mijë tifozë në ‘Rose Bowl’, Pasadena, ku Brazili mundi në finale Italinë pas gjuajtjes së 11-metërshave.

Cili është rekordi i Argjentinës në finalet e Kupës së Botës?

Argjentina do luajë finalen e gjashtë të Kupës së Botës në historinë e saj. Ajo e ka fituar dy herë trofeun, ndërsa ka humbur tre finale. Finalja e parë ka qenë në edicionin e parë të Kupës së Botës në vitin 1930, kur humbi 4-2 kundër Uruguait në Montevideo.

Kombëtarja ‘Albiceleste’ duhej të priste edhe 48 vite për të fituar botëtorin pas fitores ndaj Holandës 3-1, pas kohës shtesë në finale e Botëtorit 1978, të zhvilluar në Argjentinë. Kombit nuk iu desh të priste shumë gjatë për suksesin e dytë në Kupën e Botës, pasi Diego Maradona frymëzoi Argjentinën në kurorëzimin në Meksikë në vitin 1986, ku ata mundën Gjermaninë Perëndimore 3-2 në finale në ‘Estadio Azteca’.

Në finalen e botërorit pasardhës në Itali, në vitin 1990, Gjermania u ‘hakmor’ duke e mundur Argjentinën 1-0 në finale e zhvilluar në ‘Stadio Olimpico’ në Romë. Argjentina luajti edhe në finalen e vitit 2014 në Botërorin e Brazilit, sërish ndaj Gjermanisë, ku një gol në kohën shtesë nga Mario Gotze në ‘Maracana’, shkatërroi ëndrrat e skuadrës, që kësaj here kishte kapiten Lionel Messin.

Si ka arritur Argjentina në finale?

Argjentina ka shkuar deri në finalen e Katarit, pavarësisht se mori një goditje të rëndë në ndeshjen e parë në grup duke u mundur prej Arabisë Saudite. Nëse fiton sot, skuadra e Lionel Scalonit do i bashkohet Spanjës në Botëtorin 2010 si skuadrat e vetme që kanë humbur ndeshjen hapëse të Kupës së Botës përpara se të fitojnë trofeun.

Pas humbjes kundër sauditëve, Argjentina regjistroi fitore të njëpasnjëshme 2-0 kundër Meksikës dhe Polonisë duke bërë që të kryesojë Grupin C, duke shmangur kësisoj Francën në turin pasardhës.

Në atë tur Argjentina fitoi me vështirësi 2-1 kundër Australisë, që u shfaq shumë më e fortë nga sa pritej. Amerikanojugorët vuajtën jo pak edhe në çerekfinale ndaj Holandës, ndeshje të cilën e kryesuan 2-0 para se të barazoheshin në minutën e fundit nga kundërshtari, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë e më pas te 11-metërshat, ku fituan. Në gjysmëfinale, Argjentina nuk vuajti shumë duke mposhtur me lehtësi Kroacinë 3-0.

Cili është rekordi i Francës në finalet e Kupës së Botës?

Franca është paraqitur në finalen e Kupës së Botës në tre raste të mëparshme, duke u larguar dy herë si fituese.

Franca ngriti për herë të parë trofeun më të famshëm të futbollit në vitin 1998, kur ishte organizatore e turneut, me ‘hajmalinë’ Zinedine Zidane që i çoi në një fitore mahnitëse 3-0 kundër Brazilit favorit, në një ekip të ndërtuar mbi përsosmërinë mbrojtëse të Marcel Desailly dhe me trajnerin e tanishëm të Francës, Didier Deschamps.

Zidane u kthye nga hero në humbës tetë vjet më vonë, kur u përjashtua nga ndeshja me karton të kuq për goditjen me kokë ndaj italianit Marco Materazzi në finalen në ‘Olympiastadion’ në Berlin, në atë që konsiderohet ende si një nga kartonët e kuq më famëkeq në historinë e futbollit.

Franca do humbiste ndaj italianëve teksa Zidane u largua nga karriera e tij ndërkombëtare e zhytur në polemika.

Stadiumi ‘Luzhniki’ i Moskës priti finalen e tretë të Kupës së Botës për Francën në vitin 2018, ku adoleshenti Kylian Mbappe i dha Francës trofeun e dytë në finalen e fituar ndaj Kroacisë, 4-2.

Nëse fiton sot, Franca do ketë tre trofe duke lënë pas Argjentinën e Uruguain, por duke qenë pas Gjermanisë e Italisë me nga katër trofe e Brazilit me pesë të tillë.

Si ka arritur Franca në finale?

Ashtu si kundërshtari, udhëtimi i Francës drejt finales nuk ka qenë pa incidente. Ajo u përball me mungesat e një numri lojtarësh të rëndësishëm si N’Golo Kante, Paul Pogba dhe Karim Benzema,

Pasi kaloi Australinë në ndeshjen hapëse dhe fitoi një fitore të ngushtë 2-1 kundër Danimarkës në ndeshjen e dytë, Franca u pengua në ndeshjen e tretë të Grupit D, kur humbi me një gol të vetëm ndaj Tunizisë.

Gjithsesi më tej francezët mundën Poloninë në fazën finale para se të përplaseshin me Anglinë, në një duel tejet të nxehtë ku vuajtën jo pak, para se të fitonin 2-1.

Surpriza e Kupës së Botës, Maroku, e priste Francën në gjysmëfinale, megjithatë nuk qe në gjendje që të ndalte duke u mundur 2-0.

A është më në fund koha e Messit?

Pas zhgënjimit në paraqitjet e tij në katër edicionet e mëparshme të turneut, ky pritet të jetë botëtori i fundit për Messin.

Edhe pse është krahasuar me më të mëdhenjtë e futbollit botëror si Pele e Maradona, Messi, 35 vjeç, nuk ka mundur të fitojë asgjë të rëndësishme me Argjentinën.

Kapiteni argjentinas i dha fund ‘zisë’ më në fund për një trofe të madh ndërkombëtar, kur ai ndihmoi ekipin e tij të fitonte kurorën e parë të Kupës së Amerikës që nga viti 1993 vitin e kaluar.

Katari ka qenë tashmë një turne historik për Messin. Ai luajti ndeshjen e tij të 1000-të në karrierë gjatë fitores së Argjentinës kundër Australisë dhe ka kaluar Gabriel Batistutën si golashënuesi më i mirë i vendit të tij në Kupat e Botës me 11 gola.

Ai do arrijë një tjetër rekord të dielën kur të luajë në ndeshjen e tij të 26-të të Kupës së Botës, një më shumë se legjenda gjermane Lothar Matthaus.

Messi barazohet me rivalin francez dhe bashkëlojtarin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, në krye të klasifikimit të Këpucës së Artë në Katar me pesë gola secili, megjithëse Messi ka dhënë më shumë asiste, tre, ndaj dy të Mbappes.

Çfarë rekordesh kanë dy trajnerët?

Didier Deschamps, 54 vjeç, është një nga tre personat që kanë fituar Kupën e Botës edhe si lojtar edhe si trajner (Mario Zagallo i Brazilit dhe Franz Beckenbauer i Gjermanisë janë të tjerët), por do të bëhet i pari nga kjo treshe që e fiton atë dy herë si trajner, nëse Franca fiton me Argjentinën.

Deschamps është gjithashtu në prag të të qenit i vetmi trajner së bashku me Vittorio Pozzo të Italisë (1934 dhe 1938) që fiton dy herë radhazi Kupat e Botës. Jo keq për një lojtar të denigruar dikur nga Eric Cantona si ‘ujëbartës’.

Argjentinasi Lionel Scaloni, 44 vjeç, është një tjetër ish-lojtar dhe ka luajtur shtatë ndeshje për vendin e tij.

Pasi shërbeu si ndihmëstrajner, ai u emërua në detyrën kryesore të futbollit argjentinas pas dështimit të Kupës së Botës 2018 dhe i ndihmoi ata të fitonin Kupën e Amerikës 2021 si dhe i kualifikoi në finalen e Kupës së Botës së Katarit.

Një vështrim në faktet dhe shifrat e të dyve tregon se ato janë të vështira për t’u ndarë. Deschamps ka fituar 64.5% të ndeshjeve të tij si trajner i Francës, ndërsa Scaloni ka fituar 66% në krye të Argjentinës.

Cili është rekordi i skuadrave ballë për ballë?

Historikisht, Argjentina mban avantazhin në rekordin ballë për ballë mes dy kombeve, por e diela do jetë hera e 13-të që dy skuadrat takohen dhe ndeshja e tyre e katërt në 35 vitet e fundit.

Franca doli triumfuese në ndeshjen e fundit në Kupën e Botës 2018, kur dy golat e Kylian Mbappe ndihmuan ekipin e tij të fitonte 4-3 kundër Messit dhe Argjentinës në përballjen e tyre të 16-të në ‘Kazan Arena’ Rusi.

Të vetmet herë të tjera që ata janë takuar në një Kupë Botërore ishin në vitin 1930, kur Argjentina fitoi 1-0 në fazën e grupeve dhe në Botërorin e Argjentinës 1978, ku vendasit vituan 2-1 ndaj Francës në fazën e grupeve.

Kush është gjyqtari i ndeshjes së madhe?

Gjyqtari polak Szymon Marciniak, 41 vjeç, do drejtojë finalen në Botërorin e tij të dytë si gjyqtar. Më herët Marciniak drejtoi ndeshjen në fitoren e Francës në fazën e grupeve kundër Danimarkës, ku dha tre kartonë të verdhë (një për Francën, Jules Kounde).

Ai ishte gjithashtu gjyqtar në fitoren e Argjentinës kundër Australisë, ku dha dy kartonë të verdhë, të dy për australianët.

Marciniak, të paktën deri më tani, nuk ka dhënë asnjë karton të kuq gjatë këtij botërori.

Ndihmës të Marciniak do jenë bashkatdhetarët Pawel Sokolnicki dhe Tomasz Listkiewicz si anësorë, ndërsa gjyqtar i katërt është Ismail Elfath nga SHBA.

Zyrtarët e caktuar të sistemit VAR janë Tomasz Kwiatkowski i Polonisë, Juan Soto i Venezuelës, amerikani Kyle Atkins dhe Fernando Guerrero nga Meksika.