Vendosni fjalën kyçe....

Dumani bën deklaratën e parë si shef i SPAK-ut, zotohet të çojë më tej luftën kundër korrupsionit e krimit


Kreu i ri i SPAK-ut Altin Dumani është zotuar sot se besimin që i është dhënë do e përdorë në funksion të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Në konferencën e parë për shtyp si drejtues i prokurorisë speciale, ai tha se SPAK është krejtësisht funksional duke falënderuar paraardhësin për punën e bërë.

Dumani tha gjithashtu se SPAK do vijojë punën për të treguar se është e aftë të godasë të gjithë ata që shkelin ligjin.

“Nuk është shumë nevoja të prezantohet drejtuesi i ri se kemi punuar 3 vite me njëri-tjetrin përveç kohës që kemi punuar në vende të tjera. Besimin që më dhatë do ta përdor në funksion për tu përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Falenderim të veçantë për Krajën. Të gjithë e dimë sa e vështirë është të ndërtosh shtëpi të re nga themeli. Sot falë kontributit tuaj të çmuar kemi një prokurori funksionale me bilanc pozitiv. Pas këtyre 3 viteve SPAK do kalojë tashmë në një fazë tjetër e që është ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar.

Këto 3 vite kanë qenë të vështira. Pavarësisht këtyre secili prej nesh ka pasur rezultatet e tij, ndaj ju shpreh mirënjohje. Kemi një prokurori që është në funksion të plotë në përbërje të cilës jemi 70 prokurorë, kemi fituar eksperiencë në këto 3 vite pune. Ju nxis që të gjithë së bashku të demonstrojmë që jemi të aftë kundër çdo shkelësi ligji. Unë do jem në krahun tuaj përballë sfidave që na presin. Ju bëj thirrje hetuesve se zyra e drejtuesve është e hapur.” – tha Dumani.

Dumani u zgjodh kreu i ri i SPAK-ut të premten pasi mori 5 vota përkundrejt 4 votave të marra nga Adnan Xholi e një vote të marrë nga Edvin Kondili.