Vendosni fjalën kyçe....

Shkencëtarët tregojnë anomalinë me vrimën e ozonit


Vrima e ozonit mbi Antarktidë po mbyllet një muaj më vonë se zakonisht për të tretin vit radhazi, sipas një raporti të fundit nga Programi i BE-së për Vëzhgimin e Tokës ‘Copernicus’. Edhe pse vrima është zvogëluar kryesisht që nga fillimi i viteve 2000, shkencëtarët nuk mund të shpjegojnë pse ajo tani po vazhdon për më gjatë.

Vrima e ozonit në Antarktik zakonisht hapet në shtator përpara se të tkurret në nëntor, që përkon me pranverën në hemisferën jugore. Këtë vit, vrima pritet të mbyllet në ditët në vijim, shkruajtën shkencëtarët e ‘Copernicus’ javën e kaluar.

Mbyllja e vonuar vjen pasi vrima e ozonit e vitit 2021 zgjati deri më 23 dhjetor dhe në vitin 2020 mbeti e hapur deri më 28 dhjetor, kohëzgjatja më e gjatë e regjistruar. Çuditërisht, vrima në vitin 2019 ishte më e vogla dhe jetëshkurtra që nga fillimi i vëzhgimit në 1979.

Hollimi i shtresës së ozonit është vërejtur që nga fundi i viteve 1970, dhe Protokolli i Montrealit, një ndalim i kimikateve që shkatërrojnë ozonin, i cili hyri në fuqi në vitin 1989, është vlerësuar me ndalimin e kësaj rënieje. Zona e vrimës së ozonit në Antarktidë arriti kulmin në vitin 2000 dhe që atëherë është zvogëluar ngadalë.

Ndërsa ekipi i ‘Copernicus’ nuk e di saktësisht pse vrima ka zgjatur kaq gjatë vitet e fundit, ata kanë paraqitur disa sugjerime.

Fillimisht ata përmendën ngrohjen globale, e cila sipas tyre shkakton në mënyrë paradoksale ftohjen e stratosferës së mesme dhe të sipërme, duke zgjatur kohëzgjatjen e vrimës. Së dyti, ata sugjeruan se shpërthimi i vullkanit Hunga Tonga-Hunga Ha’apai në janar mund të ketë prishur ekuilibrin normal të aerosolit të stratosferës.

Shtresa e ozonit filtron midis 97% dhe 99% të rrezatimit ultravjollcë (UV) të Diellit, duke lejuar që jeta të lulëzojë në Tokë. Ekspozimi ndaj rrezatimit UV rrit rrezikun e kancerit të lëkurës, dëmtimit të syrit dhe plakjes së parakohshme.