Vendosni fjalën kyçe....

Avioni pëson turbulenca të forta në ajër, plagosen 36 udhëtarë (Video)


Të paktën 36 persona u plagosën pasi një fluturim nga Phoenix, Arizona për në Honolulu, Hawaii hasi në turbulenca të rënda të dielën, thanë shërbimet e urgjencës.

Njëzet persona në fluturimin e ‘Hawaiian Airlines’ kërkuan shtrimin në spital dhe 11 prej tyre janë në gjendje të rëndë, sipas Shërbimeve Mjekësore Emergjente të Honolulus. Mes të plagosurve është një fëmijë 14 muajsh dhe tre stjuardesa.

Lëndimet e pësuara nga viktimat përfshijnë trauma në kokë, çarje, mavijosje dhe humbje të vetëdijes. “Ne ndihemi me fat që nuk ka pasur asnjë vdekje,” tha shefi i Honolulu EMS, Jim Ireland.

Aeroplani ‘Airbus 330’, me 278 udhëtarë e 10 anëtarë të ekuipazhit në bord, u godit nga turbulenca të forta 15 deri në 30 minuta para uljes në kryeqytetin e Hawait. Pavarësisht incidentit, avioni u ul në mënyrë të sigurtë, me mjekët dhe ekipet e emergjencës që prisnin në pistë.

 

Dëshmitarët thanë se turbulenca bëri që disa nga pasagjerët të fluturonin nga vendet e tyre.

Shefi i operimit të Hawaiian Airlines, Jon Snook, tha se shenja e rripit të sigurimit ishte vendosur në momentin e incidentit, por disa nga ata që u plagosën nuk ishin lidhur.

Avioni mori disa dëmtime të brendshme dhe do t’i nënshtrohet një kontrolli dhe mirëmbajtjeje të plotë përpara se të kthehet në ajër, tha Snook.

Administrata Federale e Aviacionit Amerikan ka nisur një hetim për atë që ndodhi në fluturim.

‘Hawaiian Airlines’ kryen fluturime që prej vitit 1925 dhe është një nga kompanitë e fluturimit më të vjetra në SHBA. Deri sot nuk ka pasur kurrë një aksident fatal ose rrëzime.