Drejtoresha e IKMT-së Dallëndyshe Bici ka deklaruar se është e gatshme të përballet me çdo akuzë e çdo institucion ligjor lidhur me lajmet e publikuara nga mediat në pronësi të Irfan Hysenbelliut.
Në një shënim në Facebook ajo shkruan se ka përgatitur kallëzim penal për shpifje, fyerje, shantazh e kërcënim ndaj medias në fjalë.
Bici thekson se mediat e Hysenbelliut vijojnë përpjekjet e shfrenuara për intimidim e hakmarrje ndërsa në fund shton se ajo bën detyrën e do vijojë ta bëjë pavarësisht shantazhit e dhunës së fjalëve pa prova e fakte.
“Mediat në pronësi të z.Irfan Hysenbelliu vazhdojnë përpjekjet e shfrenuara dhe të dëshpëruara për intimidim dhe hakmarrje. Sepse asgjë profesionale nuk ka, kur pas një “skupi” të tre viteve më parë, që mediat e z.Irfan e paraqesin si zbulim aktual, me një person të proceduar penalisht, që nuk ka qenë as inspektor i IKMT ndonjëherë, minimumi nuk kërkohet të shprehet edhe pala tjetër, unë dmth. Gjithsesi jam e gatshme të përballem në çdo institucion ligjor, për çdo akuzë. Unë njoh ligjin e shtetit, nuk i njoh “ligjet” e prapaskenave të medias dhe pronarëve të tyre. Dhe pikërisht për këtë, jam duke përgatitur kallëzim penal për shantazh, fyerje dhe kërcënim për shkak të detyrës. Kjo gjuhë thikash kundër shërbyesve të vendit dhe shtetit pa asnjë provë dhe fakt, duhet të qëndrojë pas dhëmbëve. Unë bëj vetëm detyrën dhe do të vazhdoj ta bëj me përkushtim pavarësisht dhunës së fjalëve, e shantazhit pa asnjë provë e fakt.” – shkruan Bici.