Ish-kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano është arrestuar nga policia lidhur me aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme në rrugën Orikum-Llogara ku humbi jetën një 17-vjeçar me iniciale E.H. banues në fshatin Dukat.
Ngjarja ndodhi teksa adoleshenti po kalonte rrugën pranë fushës së sportit. 17-vjeçari u dërgua në spitalin e Traumës ku humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Njoftimi
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 66 vjeç, banues në Himarë. Ky shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 17:00, duke drejtuar automjetin, në aksin rrugor Orikum-Llogara, në afërsi të fushës së sportit, ka aksidentuar shtetasin E. H., 17 vjeç, banues në Dukat, i cili lëvizte në këmbë. Si pasojë e dëmtimeve të marra 17-vjeçari ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.”