Vendosni fjalën kyçe....

Administrata Biden e lidh prekjen nga Alzheimeri me racizmin


Amerikanët jo të bardhë kanë nivele relativisht të larta të sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës pjesërisht për shkak të racizmit, thotë tani administrata e Presidentit Joe Biden.

‘Racizmi i rrënjosur sistemik’ duhet të trajtohet dhe t’i jepet përparësi, në vend që të përqendrohet në sjelljet individuale, tha këtë javë Departamenti Amerikan i Shëndetësisë (HHS) në raportin e tij vjetor mbi trajtimin e Alzheimerit dhe demencës së lidhur me të. Sekretari i HHS-së Xavier Becerra bëri thirrje për ‘ndërhyrje’ për të pakësuar pabarazitë.

‘Pabarazitë strukturore’ të rrënjosura nga racizmi, të tilla si investimi i pamjaftueshëm në arsim, komunitetet në nevojë e qasja e ulët në ushqime me vlera ushqyese, janë një ‘shkak i rëndësishëm’ në rastet e çmendurisë, tha HHS. Zezakët kanë rreth dy herë më shumë gjasa se të bardhët për të zhvilluar Alzheimer ose çmenduri, ndërsa hispanikët kanë rreth 1.5 herë më shumë gjasa.

Shoqata e Alzheimerit me bazë në Çikago renditi moshën, historinë familjare dhe gjenetikën si faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e një sëmundjeje të lidhur me çmendurinë. Lëndimet e kokës ose shëndeti i dobët i zemrës gjithashtu mund të rrisë mundsitë për këtë.

Të moshuarit që hanë një dietë të shëndetshme, ushtrohen, qëndrojnë aktivë në shoqëri dhe shmangin duhanin dhe abuzimin me alkoolin, mund të jenë në gjendje të zvogëlojnë rrezikun e Alzheimerit.

Megjithatë, ndryshe nga administrata Biden, grupi jofitimprurës nuk ka gjetur një lidhje midis Alzheimerit dhe racizmit.

“Arsyeja e këtyre dallimeve nuk është kuptuar mirë, por studiuesit besojnë se nivelet më të larta të sëmundjeve vaskulare në këto grupe mund t’i vënë ata në rrezik më të madh për zhvillimin e Alzheimerit,” tha shoqata.

Dokumenti HHS-së argumentoi se pabarazitë në faktorët e rrezikut janë ‘të bazuara në brezat e racizmit strukturor dhe pabarazisë’. Sipas departamenti, njerëzit jo të bardhë që vuajnë nga Alzheimer gjithashtu kanë qasje të ulët në kujdesin mjekësor dhe kanë më pak gjasa se të bardhët të diagnostifikohen si duhet e të marrin trajtimin e duhur.

Më shumë se 6 milionë amerikanë vuajnë nga Alzheimer dhe ky total parashikohet të rritet në 13 milionë deri në vitin 2060 duke pasur parasysh plakjen e popullsisë së vendit, sipas HHS-së.