Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk: Do jap dorëheqjen si CEO i “Twitter”-it, sapo të gjej një “budalla” të më zëvendësojë


Elon Musk thotë se ai do të largohet si CEO i Twitter-it sapo të gjejë dikë tjetër që është i gatshëm për ta zëvendësuar në këtë detyrë.

Njoftimi i Musk erdhi pasi në një sondazh të nisur nga ai, pak më shumë se 57 për qind votuan që ai të tërhiqej nga roli.

“Unë do të jap dorëheqjen si CEO sapo të gjej dikë që është aq budalla sa për të marrë vendin e punës!”- ka postuar Musk në Twitter. “Pas kësaj, unë thjesht do të drejtoj ekipet e softuerit dhe serverëve.”

Në një tjetër postim, Musk shpjegoi se “Askush nuk e dëshiron punën që mund ta mbajë Twitter gjallë. Nuk ka pasardhës”.

Që kur mori drejtimin e Twitter-it në fund të tetorit, drejtimi i Musk si CEO është shënuar nga shumë ndryshime në rregullat dhe politikat e kompanisë.

Ai gjithashtu ka larguar disa investitorë në kompaninë e tij të automjeteve elektrike Tesla, të cilët janë të shqetësuar se Twitter po merr shumë vëmendjen e tij.

Aksionet e Tesla-s janë ulur me 35 për qind që kur Musk mori drejtimin e Twitter më 27 tetor, duke i kushtuar investitorëve miliarda. Vlera e tregut të Teslës ishte mbi 1.1 trilion dollarë më 1 prill, ditën e fundit të tregtimit përpara se Musk të zbulonte se po blinte aksione në Twitter. Që atëherë, Tesla ka humbur 58 për qind të vlerës së saj, në një kohë kur prodhuesit rivalë të automjeteve po zvogëlojnë pjesën dominuese të kompanisë në shitjet e automjeteve elektrike. Aksionet ranë të mërkurën, ashtu si çdo ditë këtë javë.

Një aksion i vetëm i Tesla-s që kushtoi rreth 400 dollarë për të filluar vitin, tani mund të merret për më pak se 140 dollarë.