Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern është kapur në mikrofon javën e kaluar duke ofenduar një lider të opozitës.
Procesverbali me komentin ofendues të saj është shitur në ankand për më shumë se 100 mijë dollarë të Zelandës së Re (afro 63 mijë e 200 dollarë amerikanë).
Komenti fyes u kap nga mikrofonët pas një debati të nxehtë të Ardern me liderin e partisë ACT, David Seymour.
“Çfarë p*lloshi arrogant!” – shprehej Ardern pasi u ul në vendin e saj.
Më vonë kryeministrja Ardern kërkoi falje për komentin përpara se Seymour të propozonte që të bashkonin forcat për të mbledhur para për Fondacionin e Kancerit të Prostatës të Zelandës së Re. Kështu ata vendosën që të firmosnin të dy dhe transkriptin e ruajtur në procesverbalin zyrtar do ta vendosnin në kornizë dhe ta shisnin në ankand.
Burri që fitoi ankandin e bamirësisë tha për mediat lokale se do të duhej të merrte një hua për të paguar shumën prej 100 mijë e 100 dollarësh.
Julian Shorten tha për 1News se ishte i kënaqur me blerjen e tij dhe shtoi se: “Ky është një moment në historinë politike të Zelandës së Re”.
Kryeministrja i falënderoi të gjithë ata që ofruan ndihmë pas përfundimit të ankandit të bamirësisë të enjten.
Propozimi për ta vënë debatin e tyre në kornizë dhe për ta nxjerrë në ankand ishte bërë nga vetë Seymor. “Kur ia sugjerova këtë, ajo menjëherë ra dakord.”– tha Seymour, citon BBC.
“Më ka mahnitur mirësia e ofertuesve që po ndihmojnë kudo me bujarinë e tyre.”– shtoi ai.