Vendosni fjalën kyçe....

Hapet tregu i gjelave të detit në Baldushk, Veliaj: Blini këtu dhe ndihmoni një familje të zonës


Me afrimin e festave të fundvitit, në Baldushk u hap sot për të gjashtin vit radhazi, tregu tradicional i gjelave të detit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vizitoi tregun tha se në treg do të shiten 45 mijë shpendë të zonës.

Ai ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës e jo vetëm, që ta blejnë gjelin këtu dhe të kontribuojnë kështu edhe për ekonominë lokale.

“Sot, ftesa për të gjithë është: Nuk ka Vit të Ri pa gjelin e detit të Baldushkut! Nxitoni! Këtu kemi vetëm një ekspozitor, pra çdo familje ka vetëm disa krerë, për të treguar cilësinë, por në treg kemi 45 mijë krerë.

Mund t’i prenotoni të gjallë, të përgatitur, mund t’i prenotoni edhe të gatuar nga shumë prej bujtinave që janë këtu në Baldushk. Të gjitha këto procese prodhojnë ekonomi. Unë e them dhe do vazhdoj ta them: Kur dikush blen një gjel nga Baldushku ose nga fermat e katundet tona, nuk ka blerë vetëm vaktin e Vitit të Ri, ka blerë gjithashtu edhe librat e shkollës së një goce të vogël, ka blerë atletet e një çuni të vogël, që do shkojë në stërvitje, i ka blerë tjegullat një familjeje që do rregullojë shtëpinë, i ka blerë plastmasin një fermeri që do rregullojë serën; pra, ka kontribuar vërtet me solidaritet në një zinxhir të madh, që ngre lart shumë prej familjeve që i kushtojnë 51 javë të vitit këtij procesi dhe kanë vetëm një javë ku mund të shesin dhe mund të rikuperojnë gjithë mundin dhe gjithë djersën e tyre.”- tha Veliaj.

Në këtë vizitë, kryebashkiaku shoqërohej nga ministrja Frida Krifca, e cila tha se po punohet për ta markuar gjelin e Baldushkut, duke e regjistruar si produkt autokton.

“Më vjen shumë mirë që ky treg është bërë traditë e çdo fundviti, sepse gjeli i Baldushkut përbashkon familjet shqiptare. Gjeli i Baldushkut do të jetë në programet tona të punës, për t’i dhënë edhe shumë vlerë, duke e regjistruar si produkt, si një markë cilësie. Këtu do të jenë veterinerët tanë. Më vjen mirë të konstatojmë prej tyre se nga analizat e bëra nuk ka pasur asnjë mbetje antibiotikësh në product, që do të thotë se bëhet fjalë për një produkt të mirëmbajtur, organik, të rritur me prodhime të shëndetshme. Ftesa ime për të gjithë konsumatorët shqiptarë, sidomos për qytetarët e Tiranës, është të vijnë dhe të blejnë gjelin e Baldushkut këtu në Baldushk. Më erdhi mirë të shoh që një pjesë e tyre janë të shitur, kështu që ju duhet të nxitoni që të bëni porosinë tuaj.”– tha ministrja e Bujqësisë.