Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Kemi hyrë në epokë absurdi, thotë dikush çfarë t’i teket në Parlament e nuk jep prova


 

Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në Kuvend, pak momente pas sherrit të tij me deputetin e PD-së, Gazment Bardhin.

Ndërsa fliste për temën e ditës, ai dukshëm iu referua incidentit duke thënë se debati në Parlament është bërë gjithnjë e më absurd kur dikush mund të ngrejë akuza pa treguar prova.

“Ky është një projekt i cili ka një vonesë më shumë se sa 75 vjeçare, dhe dikur unë mendoja që shumë gjëra janë të vetëkuptueshme, por për hir të së vërtetës gjërat e vetëkuptueshme me kalimin e kohës janë bërë gjithnjë e më të pakuptueshme dhe mirëkuptimi tek gjërat e vetëkuptueshme është bërë gjithnjë e më i pamundur për shkak se kemi hyrë në një epokë absurdi siç tregon ky Parlament çdo të enjte, ku ballafaqimi bëhet gjithnjë e më absurd dhe gjithmonë e më pak me sensin e minimumit etik njerëzor.

Del përpara çdo të enjte dikush, thotë çfarë ti teket për ty dhe pastaj thotë ‘këto janë bindjet e mia, ti s’je gjykatës që të të jap prova’.

Ky projekt është një projekt që duhej ta kishin përqafuar me zellin më të madh sepse është një ndarje më në fund me komunizmin, por jo vetëm nuk e përqafojnë me zell por e refuzojnë me zell.”- tha Rama.