Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Teatri do ndërtohet siç ka qenë, godina e re do rrafshohet


Në konferencën e sotme me gazetarët, kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se do bëhet gjithçka për të penguar ndërtimin e godinës së teatrit të ri.

Berisha theksoi se nëse ndërtohet, Teatri do të ngrihet siç ka qenë.

“Do bëhet gjithçka që ai projekt të mos ndërtohet. Por do rrafshohet. Aty do ndërtohet teatri siç ka qenë.

Kjo nuk ka diskutim.

Ai do rrafshohet, do i lëshojë rrugën teatrit siç ka qenë. Do bëhet gjithçka për ta penguar.”– tha Berisha.

Kryedemokrati ngriti akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj se kanë shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke nisur punimet për projektin e Teatrit të ri, të cilin theksoi se nuk do pranohet kurrë.

“Java kishte një ngjarje tjetër shumë të rëndë dhe të shëmtuar. Edi Rama dhe Erion Veliaj, në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses dhe çdo parim, varrosën dosjen e teatrit.  Aktin më të shëmtuar dhe më antikombëtar që ka njohur vendi vitet e fundit.

Nuk është këtu sfida ndaj një grupi ndaj Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që janë në vlerësimin tim, qytetarë më kurajozë, artistë më besnikë ndaj krijimit të tyre, profesionit të tyre, por edhe ndaj rendit kushtetues të vendit. Akti i Ramës dhe Veliajt ishte një varrosje e kushtetutshmërisë së vendit. Në këtë kontekst, ishte një grusht për çdo qytetar shqiptar.

Unë u them atyre: se ai ndërtim nuk do pranohet kurrë dhe se përballja me regjimin do ketë një objektiv tjetër madhor, rivendosjen e Kushtetutës dhe rindërtimin e teatrit siç ka qenë në vendin ku ishte. Të gjitha këto dëshmojnë se regjimi ka humbur çdo parim, moral dhe ligj. Revolucioni demokratik është i pashmangshëm. Është jetik për shpëtimin e Shqipërisë.”- tha Berisha.