Një 32-vjeçar ka ndërruar jetë mbrëmjen e kaluar në mënyrë të papritur në Kolonjë.
Ende nuk dihet se pse i riu Genti Isaj ka ndërruar jetë, por familjarët e tij thonë se ai qenë duke u mjekuar për dhimbje dhëmballe dhe dyshojnë se ngjarja ka ndodhur për shkak të qetësuesve që ka qenë duke marrë.
Në një intervistë për Report Tv, prindërit e të riut kanë treguar se si u përkeqësua shëndeti i tij pas kthimit në shtëpi.
“Djali erdhi nga Erseka. Dentisti i kishte dhënë recetën me ilaçe që i mori në farmaci. Kishte shqetësime nga dhëmballa, thoshte më dhemb koka ndërsa i ishte ënjtur gusha. Një ilaç me pluhur e kishte pirë në Ersekë ndërsa tjetrin me kokrra që kishte marrë, e konsumoi në shtëpi. Erdhi rreth orës 10, në 10:30 i piu. Ilaçi pluhur që kishte konsumuar, e kishte bërë me djersë.
Sa erdhi, zbriti nga makina dhe u ndërrua se ishte bërë ujë në djersë. Kur erdha unë nga lopët që ishte ora 15:30, 16:00 djali po rrinte në ballkon dhe më foli, hë me mami mbarove andej, mbarove me lopën? Sa hoqa çorapet i hodha dhe bukë qenit, as 5 minuta nuk qëndrova jashtë dhe hyrë në kuzhinë, ku ishte shtrirë djali. Unë e thërrisja, e fërkoja nga duart, djali ishte bërë akull. Kur nuk mu përgjigj, ngrita kujën, dola thirra komshinjtë që ta merrnin e ta çonin e Ersekë. Dy djem lajmëruan ambulancën. E nxorrën djalin me makinë dhe rrugës kishin gjetur ambulancën.
Qëkur ishte fëmijë derisa u bë 32 vjeç, nuk ishte shtruar një herë në spital, nuk kishte bërë asnjë gjëlpërë në trup, nuk ankohej për gjë edhe gripërat atë rrallë e zinin. Djali të mërkurën ishte edhe në punë por nk e kishte kaq keq. Kur e pamë të ënjtur, i thamë të vizitohej.”- rrëfeu nëna.
Sot pritet të kryhet ekspertiza mjekoligjore. Babai thekson se i biri nuk kishte sëmundje tjetër dhe se presin se çfarë do thonë ekspertët.
“Djali nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Vetëm nga dhëmballa.”- tha babai.