Vendosni fjalën kyçe....

Greva e urisë në Elbasan/ Tedi Blushi: Qeveria zhvat miliona euro me koncensione, por s’jep 16 mijë lekë në muaj për njerëzit me aftësi ndryshe


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me grevën e urisë që u bë sot nga personat me aftësi ndryshe në qytetin e Elbasanit.

Ata u ankuan se iu kanë hequr ndihmën ekonomike mujore, duke u detyruar të futen në grevë urie në prag të festave të fundvitit.

Blushi shprehet se qeveria e pashpirt u ka hequr padrejtësisht ndihmën personave me statusin tetraplegjikë, duke i tallur, mashtruar dhe braktisur në hallin e tyre.

Ai shton se qeveria po paguan mijëra euro çdo ditë për pronarët e inceneratorëve që janë  në arrati, por nuk paguan dot as 16 mijë lekë në muaj për personat me aftësi ndryshe.

“Solidaritet dhe mbështetje të plotë për kërkesat e drejta dhe plotësisht të realizueshme të personave me aftësi të kufizuara në Elbasan që kanë hyrë në greve urie në prag të festave të fundvitit për shkak se Qeveria e pashpirt u ka hequr padrejtësisht ndihmën mujore, duke i tallur, mashtruar dhe braktisur në hallin e tyre.

‘Rilindja’ që paguan 80 mijë euro çdo ditë pronarët në arrati të inceneratorëve që nuk ekzistojnë, që vjedh edhe kafshatën e jetimëve, që zhvat miliona euro me koncensione, PPP, tendera sekretë dhe rrugë të florinjta, por që nuk jep 16 mijë lekë në muaj për invalidët nuk meriton më asnjë ditë të qëndrojë në pushtet.”- shkruan Blushi.