Vendosni fjalën kyçe....

Shkencëtarët rindërtojnë fytyrën e faraonit egjiptian Ramses II përmes inteligjencës artificiale (Video)


Shkencëtarët egjiptianë dhe britanikë kanë zbuluar një rindërtim të fytyrës së Ramses II, duke përdorur programin e tomografisë kompjuterike (CT) për të ‘zbërthyer në mënyrë dixhitale’ mumjen e faraonit të famshëm egjiptian të lashtë. Projekti i përbashkët shkencor i lejoi historianët për herë të parë të vëzhgonin se si dukej sundimtari në çaste të ndryshme të jetës së tij.

Studiuesit thonë se ata përdorën skanime të mëparshme CT të mumjes së faraonit dhe i aplikuan ato në programin analitik. Më pas ata ishin në gjendje të bënin dallimin midis kafkës dhe materialeve të tjera të përdorura gjatë procesit të balsamimit dhe të prodhonin një paraqitje 3D të kafkës. Pas kësaj ata aplikuan matjet mesatare të shtresës së muskujve të fytyrës që besohej se ishin të përshtatshme për egjiptianët e lashtë për të rindërtuar fytyrën e faraonit.

“Ky është i vetmi rindërtim shkencor i fytyrës së Ramesses II bazuar në skanimin CT të mumjes së tij.” – shpjegoi profesorja Sahar Saleem i Universitetit të Kajros, i cili drejtoi projektin, duke shtuar se përpjekjet e mëparshme ishin ‘kryesisht artistike, bazuar në fytyrën e mumjes së tij’.

Përshkrimi fillestar u tregoi studiuesve se si dukej Ramses II në kohën e vdekjes së tij në moshën 90-vjeçare. Ekspertët e imazherisë e përdorën më pas atë imazh për të ndryshuar procesin e plakjes dhe për të zbuluar se si ishte faraoni në moshën më të re 45-vjeçare.

 

“Mendoj se fytyra e rindërtuar është një person shumë i pashëm egjiptian me tipare të fytyrës karakteristike të Ramesses II, hundë e theksuar dhe nofulla e forte.” – tha Saleem, në një deklaratë të cituar nga Daily Mail.

“Mbreti Ramesses II ishte një luftëtar i madh që sundoi Egjiptin për 66 vjet.” – vuri në dukje ajo.

Ramses II, i referuar gjithashtu si Ramsesi i Madh, ishte faraoni i tretë i Dinastisë së Nëntëmbëdhjetë të Egjiptit dhe besohet të ketë sunduar vendin nga viti 1279 para Krishtit deri në vdekjen e tij në 1213 para Krishtit.

Ai konsiderohet si një nga faraonët më të famshëm dhe më të fuqishëm të Mbretërisë së Re, periudha më e fuqishme e perandorisë egjiptiane.

Disa e lidhin gjithashtu Ramsesin II me figurën që ishte në pushtet gjatë Librit biblik të Eksodit, i cili tregon historinë e arratisjes së izraelitëve nga Egjipti nën udhëheqjen e profetit Moisi.