Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka njoftuar 10 miliardë euro të tjera në mbështetje të qytetarëve lidhur me rritjen e çmimeve.
Qeveria do ‘mbrojë klasën e mesme e punëtorët mes rritjes së kostos së jetesës, energjisë dhe ushqimit’, tha ai.
Propozimet përfshijnë shkurtime të TVSH-së dhe një pagesë prej 200 eurosh për miliona familje me më pak se 27,000 euro të ardhura në vit.
Është grupi i tretë i masave të ndihmës për Spanjën dhe e çon mbështetjen në 45 miliardë euro.
Spanja ka arritur të ulë inflacionin në muajt e fundit në 6.8%, norma më e ulët vjetore në Bashkimin Evropian dhe shifra më e ulët që nga sulmi rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022. Por inflacioni i çmimeve të ushqimeve është shumë më i lartë.
E quajtur si një paketë ‘antikrizë’ për të zbutur rritjen e çmimeve dhe për të nxitur rritjen në vitin e ardhshëm, planet e fundit zgjasin edhe për gjashtë muaj të tjerë shkurtimet e taksave për gazin dhe energjinë elektrike.
Nga pagesa e njëhershme për familjet do përfitojë rreth 4.2 milionë familje, ndihmë që më parë ishte e kufizuar për familjet me të ardhura vjetore më pak se 14,000 euro.
Transporti publik gjithashtu do vazhdojë të subvencionohet, me një zbritje në çmimet e biletave sezonale të zgjatur deri në gjysmën e parë të 2023.
Sanchez u zotua gjithashtu të heqë taksën e shitjeve për gjashtë muaj për artikujt ushqimorë thelbësorë si buka, qumështi, djathi, vezët, frutat dhe perimet dhe të ulë taksat për makaronat dhe vajin e gatimit, nga 10% në 5%.
Vendet e BE-së kanë vepruar të gjitha për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset nga rritja e çmimeve, me Gjermaninë që njoftoi një paketë të ‘mbrojtëse’ në tetor me vlerë 200 miliardë euro për të ulur koston e energjisë elektrike dhe gazit. Qeveria e Olaf Scholz tha se ishte përgjigja e Berlinit ndaj ‘luftës energjetike’ të Rusisë.
Franca, ashtu si Spanja, ka njoftuar një pagesë të njëhershme për familjet në nevojë që marrin kupona energjie si pjesë e një pakete prej 45 miliardë eurosh.
Ai gjithashtu detyroi ofruesin e energjisë Électricité de France (EDF) të kufizojë rritjen e çmimeve në 4% për një vit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria vendosi një kufi në çmimin e një njësie të energjisë deri në prill 2023, që do të thotë se fatura tipike shtëpiake për gazin dhe energjinë elektrike do të jetë 2500 stërlina në vit.