Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Pakoja e Madhe me 8 miliardë lekë shpërndahet në ditët e para të Janarit, kategoritë që përfitojnë


Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku njofton se qeveria e tij është gati të shpërndajë 8 miliardë lekë brenda ditëve të para të janarit.

Rama shkruan se këto para do të jenë si mbështetje financiare për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, njerëz me nevoja ndryshe, po ashtu edhe për punonjësit e shtetit.

Ai thotë se kjo është “qeveri e shumicës” dhe jo e disave.

 “GËZUAR

Qeveria po mbyll Pakon e Madhe në mbështetje të 1 milionë individëve, për të lehtësuar ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit – duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.

Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit.

Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak apo të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit apo të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë se sa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku.”– shkruan Rama në këtë postim.