Rrjedhja pak muaj më parë në publik e bazës së të dhënave të pagave dhe targave të automjeteve të gjithë shtetasve në vend po jepet efektet e para dhe te investitorët e huaj.
Sektori Call center dikur oaz punësimi për të rinjtë, por që tashmë vuan edhe mungesën e fuqisë punëtore nga emigracioni, po përballet me rënien e kontratave.
Sipas të dhënave të tatimeve (DPT) në call center deri në muajin shtator 2022 ishin të punësuar 12,404 punonjës. Krahasuar me 2021 numri i të punësuarve ka rënë 18%. Ndërsa numri i ndërmarrjeve call center sipas të dhënave të DPT deri në shtator 2022 ishte 543 biznese.
Alketion Cali administrator i kompanisë call center “Icon Albania” tha për Monitor se nga kompanitë italiane u janë refuzuar dhënia e kontratave të reja, për shkak të pasigurisë në ruajtjen e të dhënave.
“Disa javë më parë ne zhvilluam bisedë për bashkëpunim me një kompani në sektorin e telekomunikacioneve në Itali e cila donte të zhvillonte fushatën e saj nga Shqipëria. Por fatkeqësisht kontrata nuk u realizua, pasi nga drejtuesit na u tha që Shqipëria nuk është vend i sigurt për ruajtjen e të dhënave sensitive të klientëve të tyre, nisur edhe nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me publikimin e të dhënave. Pasiguria në ruajtjen e të dhënave po na krijon shumë probleme në vazhdimin e punës me investitorët e huaj. Është një problem që duhet të adresohet”, pohon z. Cali.
Në muajin dhjetor 2021 është publikuar lista e parë me 630 mijë punonjës në të gjithë vendin, të punësuar dhe vetëpunësuar, ndërsa pagat janë publikuar për rreth 550 mijë persona, të cilët janë të punësuar në biznese dhe në shtet
Verifikimet treguan se lista ishte reale, teksa publikimi i saj përbën dekonspirimin më të madh të të dhënave personale me sensitivitet të lartë, pas publikimit të dhënave personale gjatë zgjedhjeve elektorale të këtij viti. Prokuroria e Tiranës nisi një proces verifikimi pas publikimit të dhënave, por nuk pati dënime.
Rrjedhja e të dhënave nuk mbaroi me kaq. Më pas u publikua database me targat e 530 mijë shtetasve, duke përfshirë edhe markën e automjetit, modelin e tyre dhe ngjyra.
Ndërsa ditët e fundit të muajit dhjetor edhe një bankë e nivelit të dytë në vend ka qenë pjesë e sulmeve kibernetikë. /D.Azo
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor