Vendosni fjalën kyçe....

Njerëzit do jetojnë në Hënë ‘brenda këtij dhjetëvjeçari’ – Zyrtari i NASA-s


Javën e kaluar, NASA nisi fluturimin e saj të shumëpritur Artemis 1, i pari nga disa misione për të vendosur një prani njerëzore në Hënë. Por edhe pse është vetëm fillimi i këtij misioni të gjatë, një zyrtar thotë se hapat e mëdhenj mund të shihen më shpejt nga sa pritet.

Howard Hu, menaxheri i programit për anijen kozmike Orion në bordin e fluturimit Artemis 1, i tha BBC-së se agjencia planifikon të ketë njerëz që jetojnë në Hënë.

“Sigurisht që në këtë dekadë, ne do të kemi njerëz që jetojnë në Hënë”, tha ai për BBC.

“Kohëzgjatja, ju e dini, varet nga sa kohë do jemi në sipërfaqe. Ata do jetojnë, do kenë habitate. Pra, jo vetëm që jemi në gjendje për të punuar në dërgimin e njerëzve në Hënë, për të zbritur njerëzit në sipërfaqen e Hënës, ata ende duhet të kenë infrastrukturë.”

“Ne do të dërgojmë njerëz në sipërfaqe dhe ata do të jetojnë në atë sipërfaqe dhe do të bëjnë shkencë,” shtoi ai.

Misioni aktual Artemis I është një përpjekje katër deri në gjashtë javë pa pilot, në të cilën anija kozmike Orion do udhëtojë në Hënë, duke arritur përfundimisht në rreth 62 milje mbi sipërfaqen e saj përpara se graviteti i hënës ta tërheqë atë në orbitën e saj, shkruan CBS.

Të dhënat dhe informacioni që mbledh do përdoren për fluturimet e ardhshme me njerëz në bord, një mision i quajtur Artemis II që parashikohet të nisë në vitin 2023.

Pas kësaj do pasojë misioni Artemis III, ku ekuipazhi njerëzor pritet të arrijë të prekë sipërfaqen e Hënës. Kur kjo të ndodhë, do jetë hera e parë që njerëzit do jenë në Hënë që nga viti 1972.

Një arsye kryesore për këtë nismë, i tha Hu për BBC, është për të parë nëse ka ujë në polin jugor të Hënës që mund të shndërrohet në lëndë djegëse potenciale për anijet kozmike për të shkuar më thellë në hapësirë. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme në kërkimin e Marsit, tha ai.

“Do të jetë vërtet shumë e rëndësishme për ne që të mësojmë pak përtej orbitës së Tokës sonë dhe më pas të bëjmë një hap të madh kur të shkojmë në Mars”, tha Hu për BBC.

“Dhe misionet Artemis na mundësojnë të kemi një platformë të qëndrueshme dhe një sistem transporti që na lejon të mësojmë se si të operojmë në atë mjedis të thellë hapësinor.”

Të hënën, anija kozmike Orion bëri fluturimin më të afërt të Hënës, duke arritur në rreth 80 milje mbi sipërfaqen e saj me më shumë se 5,100 milje në orë, sipas NASA-s. Anija ka vetëm një manovër tjetër për të hyrë në orbitën e largët retrograde të Hënës, të cilën pritet të kryejë të premten.

E gjithë kjo po bëhet me qëllimin përfundimtar për të siguruar ‘themelin’ për jetën në hapësirë, tha Hu.