Punonjëset e një fasonerie në Devoll kanë zhvilluar sot një protestë. Shkak i protestës është bërë ulja e pagës me 10 mijë lekë për 5 nga punonjëset si dhe shkarkimi i kryetares së sindikatës.
Sipas punëdhënësit të fasonerisë ‘Toni Oil’ shkak për uljen e pagës është bërë moskryerja e proceseve të planifikuara.
Sipas kryetares së sindikatës Mirjeta Mulla, ajo kishte kërkuar lejen e zakonshme të punës, por është njoftuar për pushimin nga puna, shkruan Shqiptarja.
“Kemi bojkotuar punën sepse pronarët më kanë dërguar një njoftim për pushim nga puna vetëm mua që jam kryetare sindikate në këtë fasoneri. Kemi kërkuar të drejtat tona që na jep ligji. Në datën 22 dhjetor kam çuar një kërkesë në të cilën u bëjmë me dije se duhet të marrim 3 ditët e lejes vjetore që ende nuk na i kanë dhënë. Dhe gjithashtu në datën 23 dhjetor kam dërguar një kërkesë për të ditur arsyen pse disa punëtoreve të fasonerisë u është ulur rroga padrejtësisht. Më pushuan nga puna me pretekstin se do ristrukturohet numri i punëtoreve ndërkohë që këtu kërkohen punëtore çdo ditë” – tha Mirjeta Mulla.
Sipas punonjëseve, kompania nuk ka bërë ende kontratë kolektive me to e po kështu janë shprehur se vijimësisht u janë mbajtur shuma të ndryshme lekësh nga paga pa arsye. Fasoneria ka rreth 100 punonjës me më shumë se gjysmën që kanë marrë pjesë në protestën e sotme. Ato janë shprehur se nuk kthehen në punë deri në rikthimin e kryetares së shkarkuar të sindikatës.