Dy ligjvënës të opozitës senegaleze u dënuan me burg të hënën për një sulm të dhunshëm ndaj një kolegeje shtatzënë gjatë një seance të parlamentit muajin e kaluar. Dy deputetët mohuan përgjegjësinë, pavarësisht se sulmi u kap në video.
Përveç gjashtë muajve burg, Mamadou Niang dhe Massata Samb të partisë PUR u urdhëruan të paguanin së bashku pesë milionë franga senegaleze (8200 dollarë) si dëmshpërblim për viktimën, Amy Ndiaye të koalicionit qeverisës ‘United in Hope’.
Samb e goditi Ndiaye në fytyrë gjatë një debati për buxhetin në fillim të dhjetorit, pasi dyshohet se ajo bëri një koment nënçmues për një lider mysliman me ndikim. Ndiaye u përgjigj duke i hedhur një karrige, përpara se Niang ta shkelmonte në stomak.
Ndiaye u shtrua në spital dhe avokatët e saj pretenduan se goditja e vuri atë në rrezik për të humbur fëmijën e saj. Ndërsa ajo ka dalë nga spitali, avokati i saj i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se ajo ‘mbetet në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë’.
Niang dhe Samb mohuan çdo keqbërje. Një anëtar i ekipit të tyre ligjor i tha AFP se ata planifikojnë të apelojnë vendimin.