Vendosni fjalën kyçe....

Aktori i njohur dëmtohet keqazi nga borëpastruesja, poston foton e parë nga spitali


Ylli i Hollivudit, Jeremy Renner, i cili luajti personazhin e Haëkeye në serinë Marvel, ka postuar foton e parë pas shtrimit në spital pas një aksidenti teksa pastronte borën pranë shtëpisë.

Fotoja, e marrë nga shtrati i tij në spital në Nevada, u shfaq në faqen e tij në Instagram të martën. Aty shfaqet aktori me mavijosje në fytyrë dhe tuba oksigjeni në hundë.

Postimi mori mbi 4 milionë pëlqime në orët e para, me fansat që i uruan Renner shërim të shpejtë. Renner u dërgua në spital me helikopter më 1 janar 2023 pas një aksidenti jashtë shtëpisë së tij në Washoe County, Nevada.

Një përfaqësues tha se 51-vjeçari ishte në gjendje kritike, por të qëndrueshme pasi pësoi ‘dëmtim të rëndë në gjoks e lëndime të tjera kockore’. Ai iu nënshtrua një operacioni të hënën.

Hollësitë e aksidentit u zbuluan të martën nga sherifi i qarkut Washoe, Darin Balaam, i cili tha se Renner u godit nga një pastrues bore, i cili filloi të rrotullohej vetë.

“Në një përpjekje për të ndaluar borëpastruesin që rrotullohej, Renner u përpoq të ngjitej në ulësen e shoferit…pikërisht në këtë çast Renner u përplas.” – tha Balaam.

Renner mori famë në vitin 2008 me dramën e luftës ‘The Hurt Locker’, që fitoi një ‘Oscar’ për filmin më të mirë dhe gjithashtu i dha atij një nominim për aktorin më të mirë. Përveç luajtjes në shumë projekte të Marvel-it, ai u shfaq gjithashtu në dy filma ‘Mission: Impossible’ dhe filma si ‘Arrival’, ‘The Bourne Legacy’, ‘The Town’ e ‘American Hustle’.