Vendosni fjalën kyçe....

Protestë në Shtërpcë për plagosjen e dy të rinjve, bllokojnë edhe rrugën për në Prevallë


Ka nisur protesta e serbëve lokalë në Shtërpcë, e cila po mbahet para Shtëpisë së Kulturës në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.

Protesta u paralajmërua dje nga kryetari i Komunës së Shtërpcës, që është edhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiç, pas plagosjes së dy të rinjve serbë në këtë komunë.

Policia e Kosovës njoftoi se rruga rajonale Shtërpcë-Prevallë, nga fshati Drajkovc deri në Brezovicë, do të jetë e mbyllur për qarkullim deri në përfundimin e protestës së paralajmëruar, që nisi në ora 12:00.

Më 6 janar Policia e Kosovës (PK) njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës.

Sipas njoftimit, ndaj tyre është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt.

Lidhur me rastin PK ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçare.