Kërkesa globale për naftë mund të rritet ndjeshëm gjatë këtij viti nëse bota heq kufizimet dhe bllokimet për Covid-19, tha drejtuesi i fondit mbrojtës të Andurand Capital Management, Pierre Andurand.
Sipas investitorit, kërkesa për naftë të papërpunuar mund të rritet me rreth 4 milionë fuçi, ose 4%, këtë vit.
“Çfarë do të thotë një rihapje e plotë e Kinës për rritjen e kërkesës botërore për naftë? Nëse kërkesa do kthehej në trend në vitin 2023, kjo do nënkuptonte një rritje të kërkesës prej 4.6 milionë fuçish në ditë kundrejt vitit 2022, shumë mbi pritshmëritë e shumicës së analistëve. Në përgjithësi, potenciali për të parë një rritje të kërkesës për naftë prej 3-4% diku në vitin 2023 është atje duke supozuar se bota rihapet plotësisht.” – tha Andurand.
Ai shtoi se pret që shumë termocentrale të kalojnë nga gazi natyror në naftë këtë vit, gjë që do çonte gjithashtu në një rritje të konsumit të naftës së papërpunuar.
Andurand vuri në dukje, megjithatë, se rritja e parashikuar e kërkesës për naftë do kufizohej nga popullariteti në rritje i automjeteve elektrike, pasi automjetet elektrike pakësojnë përdorimin e karburantit me rreth 600,000 fuçi në ditë.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, që çoi në sanksione të pashembullta perëndimore ndaj Moskës, ‘mund të ndikojë në kërkesën globale deri në 300,000 fuçi në ditë’, tha ai.
Faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në kërkesën për naftë të papërpunuar janë ndryshimet në zakonet e konsumatorit, për shembull, njerëzit që zgjedhin të punojnë nga shtëpia ose shkurtojnë udhëtimet e biznesit. Megjithatë, ndikimi i këtyre tendencave në kërkesën e përgjithshme do të jetë ‘margjinal’, sipas Andurand.